Shkarko audiofailin


Interesimi që po shfaqet aktualisht në botë ndaj zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë tashmë po del jashtë kuadrove të pragmatizmit të thjeshtë. Sigurisht, që për konsumatorët europianë të gazit rus është jashtëzakonisht e rëndësishme që nëpërmjet këtij territori të furnizohet pa ndrëprerje dhe rregullisht gazi rus. Një tjetër çështje me rëndësi jetike është ajo: se cilin vektor (Lindor apo Perëndimor) të zhvillimit të vet do të zgjedhë vendi gjatë drejtimit të presidentit të ri? Po çfarë do të ndodhë në qoftë se njërën nga palët nuk do ta kënaqin rezultatet e votimit të 7 shkurtit? Sërish do të duhet të vërejmë daljen e ithtarëve të palëve në Mejdan? Dhe, për kuriozitet thjesht njerëzor: A do ta parakalojë vallë bukuroshja me gërshet rivalin e saj aspak karizmatik, por me një popullaritet të lartë në radhët e bashkatdhetarëve të vet? Rezultatet e zgjedhjeve ukrainase, pa dyshim, preokupojnë edhe fqinjët e afërt të këtij vendi. Ne u lidhëm me telefon në Bratisllavë me Nënzëdhënësen e Këshillit Kombëtar Sllovak (parlamentit) të Republikës së Sllovakisë Anna Bjellousova-n. Ja se çfarë thotë ajo për radiokompaninë "Zëri i Rusisë": "Këto vitet e fundit kanë qenë për qytetarët e thjeshtë të Ukrainës jashtëzakonisht të rënda. Ne, në Sllovaki, kemi vënë re se si problemet e krizës ekonomike botërore janë thelluar e ndërlikuar akoma dhe më shumë në këtë vend nga kaosi, grindjet, divergjencat në strukturat politike të pushtetit. Dhe i gjithë ky "proces negativ" ka rënë si barrë e rëndë mbi supet e shoqërisë duke ia bërë të padurueshme jetën njerëzve. Prandaj mendoj: se gjëja kryesore për të cilën ka nevojë jashtëzakonisht të madhe Ukraina është normalizimi i situatës së brendshme, arritja e stabilitetit politik. Ndërlikimi i mëtejshëm i situatës do të largojë perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës në BE për një kohë të pacaktuar. Europa u godit fort nga kataklizma financiare, e cila, në fakt, nuk është kapërcyer ende. Dhe pranimi në radhët e komunitetit europian, të një vendi që është kërrusur e po vuan nga barra e problemeve të shumta që i kanë rënë mbi kurriz, është një gjë krejtësisht e paarsyeshme. Me një fjalë, unë i uroj Ukrainës të zgjedhë një president të tillë, i cili të dijë të qetësojë shoqërinë, të vendosë një dialog normal midis partive dhe elitave politike, një president që do të mund të rivendosë marrëdhënie normale, konstruktive me shtetet fqinje. Dhe Sllovakia është palë e interesuar në këtë. Duam t'ju kujtojmë, se sllovakët ishin ata që e pësuan më keq se gjithë të tjerët nga konflikti i gazit të vitit të kaluar, nga ndërprerja e furnizimeve të gazit, probleme këto që lindën për faj të palës ukrainase. Dhe, sigurisht, unë shpresoj shumë, se midis Ukrainës dhe Rusisë, dy vendeve të afërta për nga historia, rrënjët etnike, fryma sakrale e shpirtërore, do të rivendoset një dialog i denjë. Mendoj, se që këtej e tutje ne nuk do të ndeshemi më me surpriza të tilla pakëndshme nga ana e Kievit, të ngjashme me hapin e fundit të Presidentit që tashmë po largohet nga posti i vet Viktor Jushenko. E kam fjalën, në këtë rast, për dhënien nga ai të titullit të Heroit të Ukrainës bashkëpunëtorit të nazistëve-Stepan Banderas, njeriut që pati gisht në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen masive të qytetarëve paqësore në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Jam shumë e prirur të besoj, se presidenti i ri (kushdo që të zgjidhet në këtë post) do të rivendosë autoritetin e humbur të Ukrainës në arenën ndërkombëtare, do ti japë popullit të saj një impuls të fuqishëm krijues, ndërtimtar", tha Nënzëdhënësja e Këshillit Kombëtar Sllovak (parlamentit) të Republikës së Sllovakisë Anna Bjellousova.