0"Gazprom" dhe Banka Hungareze e Zhvillimit konfirmuan sot dokumentalisht krijimin e ndërmarrjes së përbashkët për gazsjellësin "South Stream" ("Rryma Jugore"). Kjo ishte planifikuar në kuadrin e vizitës në Hungari të Nënkryeministrit të parë të Rusisë (ai kryeson gjithashtu edhe këshillin e drejtuesve të "Gazprom"-it) Viktor Zubkov. Kompania e përbashkët duhet të merret me projektimin, financimin dhe ndërtimin e sektorit hungarez të gazsjellësit kryesor. Aktualisht "Gazprom" garanton rreth 70 % të furnizimeve të gazit që importohet nga Hungaria. Nëpërmjet territorit të këtij vendi realizohet gjithashtu edhe transiti i gazit rus në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë. Është mjaft interesant fakti, se Hungaria deri para pak kohësh pat mbështetur ndërtimin e projektit alternativ "Nabukko". Por më pas i ndryshoi prioritetet e veta. Mbi shkaqet e ndryshimit të preferencës së Hungarisë shprehet për "Zërin e Rusisë" analisti i kompanisë investitore "Arbat Kapitall" Vitali Gromadin: "Që vitin e kaluar Hungaria filloi të anonte nga dhënia e preferencës projektit "South Stream" ("Rryma Jugore"). Por, në parim, vetëm tani u bë mëse e qartë se projekti "Nabucco" mund të kushtojë më shumë se ato 8 miliardë dollarë që u deklaruan më parë, të nevojshëm për realizimin e projektit. Sepse bile edhe për këto 8 miliardë dollarë nuk u gjetën investitorë të mjaftueshëm. Pjesëmarrësit e projektit ishin të gatshëm të paguanin vetëm 30 % të kësaj shume. Rrjedhimisht, duhej të gjendeshin investitorë të tjerë për të mbuluar 70 % e tjera. Por këtu lind edhe problemi tashmë i njohur: gazsjellësi "Nabucco" ka një bazë të dobët burimesh furnizuese. Fillimisht shpresat i lidhën me Azerbajxhanin, por ai nisi t'ia shiste gazin e vet Rusisë. Për "Nabucco-n" në Azi nuk mbetet praktikisht asgjë. Në një sfond të tillë "South Stream" ("Rryma Jugore") për vendet europiane, të cilat janë të interesuara në garantimin e sigurisë së vet energjetike, duket më me perspektivë. Projekti i gazsjellësit "South Stream" ("Rryma Jugore") parashikohet të shtrohet nëpër fundin e Detit të Zi me gjatësi rreth 900 km nga Novorosijsku  deri në portin Varna të Bullgarisë. Iniciatore të realizimit të këtij projekti u bënë Rusia dhe Italia. Nëpërmjet këtij gazsjellësi, kapaciteti transportues i segmentit detar të të cilit do të përbëjë 63 miliardë metra kub gaz në vit, tashmë që në vitin 2015 duhet të fillojë të eksportohet rreth 1/3 e vëllimit të përgjithshëm të furnizimeve të gazit rus në Europë. Aksionarët e operatorit të projektit janë "Gazprom" dhe koncerni italian ENI. Dhe ja, tani në Europë me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët në Hungari praktikisht po përfundon krijimi i kapaciteteve prodhuese për realizimin e tubacionit "South Stream" ("Rryma Jugore")", konkludon analisti i kompanisë investitore "Arbat Kapitall" Vitali Gromadin.