Shkarko audiofailin


"Përmirësimi i situatës në botë: rikonceptimi, shndërrimi dhe rikonstruktimi"-nën një devizë të tillë në Davosin zvicerian po hapet mbledhja jubilare e 40 e Forumit Ekonomik Botëror. Më tepër se 2500 politikanë, biznesmenë dhe veprimtarë kulturorë nga 90 vende do të përpiqen gjatë 5 ditëve të vlerësojnë atë që po ndodh aktualisht në botën e financave dhe të përpunojnë rregullat e destinuara për parandalimin e krizës së re globale. Në fakt, pak kush pret nga Davosi aktual marrjen e ndofarë vendimeve kardinale apo gjetjen e rrugëdaljeve të reja. Pavarësisht nga fakti, se prirjet e tendencat janë në frymë më maxhore aktualisht në botë, kriza nuk është kapërcyer ende megjithatë. Po, vërtet, bursat po japin sinjale pozitive, ekonomitë po demonstrojnë njëfarë rritjeje, por kjo nuk do të thotë aspak se gjërat janë kthyer në vendin e vet. Bota ka ndryshuar, ndërsa bashkë me të edhe qendrimet ndaj problemeve financiare, mendon Shefi i katedrës së Shkollës së Lartë Ekonomike Josif Diskin. "Kanë ndryshuar ato probleme, të cilat kanë ndërmend të diskutojnë në Zvicër. Tradicionalisht drejtoria e Forumit të Davosit paraqiti raportin në të cilin u evidentuan gjithë rreziqet kërcënuese kryesore. Ndër to figurojnë: gjendja mjaft e rëndë e sistemit bankar dhe tensionimi i jashtëzakonshëm i sistemeve buxhetore të vendeve kryesore për shkak se borxhet shtetërore i kanë tejkaluar në mënyrë të qenësishme caqet, kufijtë që mund të quhen të parrezikshëm. Kështu, borxhi i SHBA-s tashmë po i afrohet gati 80 % të GDP, kurse ai i Italisë i ka kaluar tashmë të 120 %. Dhe, kjo sigurisht, do të keqësojë perspektivat e rimëkëmbjes ekonomike. Ministri i financave Aleksei Kudrin, i cili kryeson delegacionin rus në Forumin e Davosit, do të dalë në të me raportin mbi zhvillimin e ekonomisë në periudhën e  postkrizës. Ai ka ndërmend të propozojë diskutimin e problemit të tërheqjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta në këmbim të parave buxhetore. Një tjetër çështje që kërkon, sipas mendimit të Rusisë, tërheqjen e vemendjes së përgjithshme, është aplikimi në jetë i monitorimit reciprok. Siç deklaroi këto ditë Presidenti rus Dimitri Medvediev, bota pas fillimit të krizës financiare globale arriti të perceptojë qartë, se nga kontrolli ndërkombëtar varet jo vetëm mirëqenia e një shteti të vetëm, por dhe begatia, lulëzimi ekonomik global. Aktualisht kërkesa e kohës është kjo: të jesh i hapur për komunikim dhe të vëzhgosh me vemendje të përqendruar atë që po ndodh në ekonomitë e tjera. Kjo do të ndihmojë shmangien e rrezikut të të mbajturit peng nga ana e ndonjë politike absurde makroekonomike.