Shkarko audiofailin


 Elena Mallisheva. Atë e quajnë Mjeken kryesore të televizionit të Rusisë. Për shumë vite me radhë ajo drejton programin e përjavshëm "Shëndeti" në kanalin e Parë të TV.

Lindi Elena në qytetin siberian Kemerovo. Aktivitetin e saj gazetaresk e filloi në televizionin lokal, ku projektoi dhe drejtoi programin "Receta". Më pas u zhvendos me banim në Moskë dhe që prej asaj kohe punon në sferën e mjekësisë dhe në televizion. Familja e saj është një dinasti e vërtetë mjekësh. "Në shtëpinë tonë mund të hapësh pa frikë klinikë private, thotë ajo. - Mamaja ime është mjeke pediatre e shkëlqyer, vëllai-një nga kirurgët e njohur në vend, motra-neuropatologe, kurse unë mjeke terapiste, kardiologe". Bashkëshorti i Elenës, Igori gjithashtu është mjek, profesor dhe person me autoritet të padiskutueshëm për të. Ai ushtron veprimtarinë e vet në fushën e biologjisë molekulare. Kur u njoh me Elenën i propozoi asaj të bëhej nënë e dy djemve të tij. Ajo pranoi, por gjithë natën e lagu jastëkun me lot duke menduar, se ai tashmë i ka dy djem. Në të vërtetë doli se nuk kishte asnjë fëmijë. Por gjithçka ndodhi ashtu si dhe e parashikoi Igori. Tani ata po rrisin dy djemtë e tyre.

Elena Mallisheva e kupton për mrekulli se fjalët nuk duhet të ndahen nga veprat. Njeriu, i cili propagandon nga ekrani mënyrën e shëndetshme të jetesës, duhet të japë shembullin personal. Ajo nuk pi as duhan dhe as pije alkoolike. Kufizon përdorimin e mishit. Preferon peshkun, zarzavatet, barishtet, majdanozin, koprën. Në mëngjes e gjithë familja ha bollgur tërshëre jo të zierë, por vetëm të përvëluar me ujë të nxehtë, sepse e përgatitur në këtë mënyrë tërshëra ruan të gjitha vetitë e veta mjaft të dobishme.

Fakti që Elena u bë Mjekja kryesore e TV e gjithë Rusisë është një fat i madh edhe për të, edhe për gjithë vendin. Asaj i drejtohen me letra nga gjithkund. Pikërisht Elena mund të rekomandojë se ku ia vlen të drejtohesh për kurim, çfarë medikamentesh duhen përdorur, si ta ruash veten dhe shëndetin tënd. Ajo përkon në mënyrë të habitshme me imazhin e vet në TV, sepse është pikërisht ai njeri të cilit mund ti telefonosh në çdo moment dhe ti drejtosh pyetjen që dëshiron në sferën e mjekësisë.

"Unë, vërtet, krenohem me vetë faktin se jam mjeke, - pranon Elena Mallisheva, dhe krenohem kaq sinqerisht sa që ngandonjëherë kjo duket si patologji. Mendoj sinqerisht dhe seriozisht, se të gjitha vajzat duhet të marrin arsim të lartë mjekësor. Dhe në këtë kuptim, për mua është krejtësisht e çuditshme kur njerëzit diskutojnë, se ç'profesion duhet të marrin në jetë. Mua më duket, se duhet filluar me mjekësinë".

Kolegët ia kanë zilinë efikasitetit të punës së saj. Brenda një muaji programi "Shëndeti" i përgjigjet gati 4000 telefonatave, 2000 letrave dhe disa qindra pyetjeve që i drejtohen atij nëpërmjet rrjetit Internet. Nën drejtimin e Elena Mallishevës vepron një grup special i përbërë prej 3 mjekësh, i cili i përgjigjet të gjithë njerëzve pa përjashtim, bile deri në atë masë saqë i shtron në klinikë ata që kanë nevojë për ndihmë.

0 Pushimet Elena preferon ti kalojë gjithashtu në mënyrë mjaft aktive. "Më shpesh unë i kaloj pushimet e mia duke shoqëruar bashkëshortin në ndonjë kongres të radhës, - thotë ajo. - Ndërkohë që ai merr pjesë në punimet e tij, unë arrij të vizitoj të gjitha vendet dhe objektet interesante, historike". Ndërsa gjendjen e lumturisë së vërtetë ajo e provon në shtëpi. "Unë shoh shtrirë TV. Im shoq në këtë kohë vazhdon të punojë në kabinet, djemtë janë në dhomat e veta, kurse pranë meje gërhet qenushi ynë i adhuruar, i racës Airedale Terrier".