Shkarko audiofailin


Programin e përbashkët të luftës kundër narkotrafikut afgan kanë ndërmend të përpunojnë në një kohë të afërt Rusia dhe Bashkimi Europian. Tashmë në mbledhjen e pritshme të qeverisë së BE do të shtrohet për diskutim çështja që ka të bëjë me krijimin e komisionit ndërkombëtar për realizimin në jetë të iniciativës së Rusisë dhe BE, i cili do të merret në mënyrë të drejtpërdrejtë me strategjinë e likuidimit të prodhimit dhe kanaleve të realizimit të shitjes së heroinës nga Afganistani. Domosdoshmëria e përpunimit të planit të ri diktohet nga fakti, se trupat perëndimore dhe forcat e OKB-së po e humbasin luftën e filluar kundër heroinës afgane, mendon Drejtori i Shërbimit Federal të Federatës Ruse për luftën kundër drogës Viktor Ivanov. Sipas fjalëve të tij, pavarësisht nga mjetet e qenësishme që caktohen për zgjidhjen e këtij problemi nga ana e komunitetit ndërkombëtar, narkobiznesi vazhdon të lulëzojë në këtë vend: "Ç'është për të ardhur keq, prodhimi i narkotikëve jo vetëm që nuk po reduktohet, por, bile po rritet në fakt. Aktualisht, me kalimin e 8 viteve pas fillimit të operacionit "Liria e Pamposhtur" ("Enduring Freedom"), Afganistani u rendit ndër liderët botërorë të prodhimit të opiumit. Prodhimi i opiateve në këtë vend është rritur gati 40 herë", thotë Viktor Ivanov. Në momentet aktuale heroina afgane përbën 92 % të gjithë opiumit që prodhohet në mbarë botën. Dhe e gjithë kjo rrymë narkotikësh vërshon nëpërmjet republikave të Azisë së Mesme në Rusi dhe Europë. Për vitin e kaluar nga opiatet afgane gjetën vdekjen më tepër se 100 mijë veta. Sipas fjalëve të Viktor Ivanovit, kjo shifër është bile më e madhe se ajo e viktimave të shpërthimit të bombës atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki, ku vdiqën 92 mijë banorë vendas. Edhe një pikë tjetër tejet e rëndësishme e programit të sipërpërmendur do të bëhet organizimi i përgatitjes së policëve të kualifikimit të lartë për Afganistanin, të cilët do të hidhen në luftën kundër narkotikëve. Në ditën e sotme Rusia ka akumuluar një përvojë të mirë në instruktimin e bashkëpunëtorëve të ruajtjes së rendit për parandalimin e trafikimit ilegal të narkotikëve. Dhe roli kryesor, drejtues në këtë sferë, ka shumë mundësi, ti ngarkohet pikërisht asaj. Përpunimi i programit planifikohet të përfundojë aty nga muaji maj. Pas kësaj programi do ti paraqitet për shqyrtim qeverive të BE dhe Rusisë.