0Puna fotografike e Presidentit të Rusisë Dimitri Medvediev u shit të hënën në Shën Petersburg në ankandin e bamirësisë "Abetarja e Krishtlindjeve" për 51 milionë rubla (1,2 milionë euro). Ajo u bë objekti më i shtrenjtë nga 29 lottot e paraqitura në ankand. Panairi i Krishtlindjeve në Shën Peterburg është një nga evenimentet më të mëdha në serinë e festave qytetare të Vitit të Ri. Në të tradicionalisht zhvillohet aktiviteti i bamirësisë "Abetarja", në të cilin figura të njohura të vendit me ndihmën e piktorëve profesionistë vizatojnë tabllo duke marrë për bazë një shkronjë të caktuar të alfabetit. Kurse më pas të gjitha piktura paraqiten në ankand, ndërsa mjetet financiare të mbledhura nga shitja e tyre adresohen në spitalet dhe shtëpitë e fëmijës, institucionet sociale të qytetit, drejtohen për punime restauruese. Presidenti i Rusisë ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë të aktivitetit bamirës nuk arriti dot të vizitonte panairin e Peterburgut dhe të vizatonte tabllonë e vet për shkak të grafikut të ngjeshur të punës, por dërgoi megjithatë në ankand fotografinë e vet panoramike të kremlinit të Tobolskut. Kjo fotografi u bë prej Dimitri Medvedievit nga helikopteri gjatë kohës së vizitimit të qytetit të vjetër rus. Të gjithë e dinë fort mirë, se Presidenti i Rusisë është tejet i apasionuar pas fotografisë artistike. Në sajtin e Kryetarit të shtetit në rubrikën "Informacion personal"mund të shohësh fotografitë e bëra nga Dimitri Medvediev gjatë udhëtimeve të ndryshme të tij. Që në momentet e para të ankandit çmimi i fotografisë së Presidentit të Rusisë u rrit nga ai fillestar në 20 mijë deri në 40 milionë rubla. Por puna e shitjes nuk përfundoi me këtë shumë. Pas njëfarë kohe çmimi u rrit edhe me 11 milionë rubla. Kjo shumë përbën rekord absolut për ankandin e bamirësisë. Deri përpara kësaj lotti më i shtrenjtë i shitur në të ka qenë piktura e Kryeministrit Vladimir Putit, e cila u shit vitin e kaluar për 37 milionë rubla (868.000 euro). Fotografia e Dimitri Medvedievit u ble nga anëtari i Këshillit të drejtorëve të lideres së industrisë ruse të letër-celulozës "Ilim-Grup" Mihaill Zingareviç. Sipas fjalëve të tij, ajo do të mbetet në zyrën peterburgase të kompanisë.