Më 14 janar në Batumi (kryeqyteti i Republikës Autonome Axharia) u zhvillua konferenca energjetike ndërkombëtare kushtuar zhvillimit të korridorit energjetik Jugor. Vërtet, fillimisht ishte planifikuar zhvillimi i samitit për energjetikën me pjesëmarrjen e kryetarëve të një sërë shteteve, por një ditë para mbajtjes së takimit formatin e tij u detyruan ta ndryshojnë. Mbi qëllimet e takimit dhe rezultativitetin e tij përsiat komentatori i "Zërit të Rusisë" Nikollai Dovzhenko dhe Kreu i Bashkimit të industrialistëve të naftës dhe gazit të Rusisë Genadi Shmal. Në punën e konferencës morrën pjesë delegacionet e Polonisë, Ukrainës, shteteve të Balltikut, Turqisë, Turkmenisë. Në Batumi ishte gjithashtu i pranishëm edhe delegacioni i SHBA-s me në krye Përfaqësuesin special të sekretares amerikane të shtetit për çështjet energjetike Richard Morningstar. Tema kryesore të konferencës në fjalë u bënë zhvillimi i korridorit energjetik Jugor, realizimi i furnizimeve të lëndëve energjetike nga Kaspiku dhe Azia në vendet e Europës Lindore dhe Perëndimore dhe, sigurisht, përcaktimi i itinerarëve alternativë të transportimit të naftës dhe gazit në Europë. Temë kjo vërtet mjaft e rëndësishme, duhet thënë. Për këtë arsye erdhën për të marrë pjesë në konferencë edhe delegacionet e Azerbajxhanit, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë. Për herë të parë u bë pjesëmarrëse e një aktiviteti të kësaj natyre Bjellorusia. Pjesëmarrësit e aktivitetit miratuan deklaratën e përbashkët në të cilën u fiksuan edhe një herë pozitat në lidhje me parimet kryesore të garantimit të sigurisë energjetike, pra, transiti i pandërprerë dhe i sigurt, dhe u shprehën për sovranitetin, pavarësinë dhe pacënueshmërinë e tërësisë territoriale të vendeve pjesëmarrëse të konferencës. Dokumente të tjera konkrete nuk u miratuan më në këtë konferencë. Ia vlen të vihet në dukje, se disa përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të konferencës në Batumi janë përpjekur të dobësojnë, të minimizojnë varësinë energjetike nga Rusia që prej shumë vitesh. Genadi Shmal shprehet në lidhje me këtë fakt si vijon: "Unë e vlerësoj këtë konferencë si tentativë të destinuar që në fillim për dështim. Është e pamundur apriori të spostohet, të zhvendoset Rusia nga pozitat e saj! Është punë e kotë, pa bereqet ndërmarrja e përpjekjes për të ndikur në ndonjëfarë mënyre mbi ne në këtë sferë. Sepse është si tejet i pamatshëm, i pakrahasueshëm potenciali ynë. Jam mëse i bindur, se linja për krijimin e ndofarë itinerarëve antirusë po dështon realisht. Projekte të tilla si gazsjellësit "South Stream" ("Rryma Jugore") dhe "Nord Stream" ("Rryma Veriore") do të realizohen pa diskutim në jetë. Dhe në qoftë se do të fillojë të ndërtohet "South Stream", atëhere perspektivat për realizimin e gazsjellësit "Nabucco" do të bëhen shumë më modeste. Ndër të tjera duhet thënë, se fati i "Nabucco-s" vazhdon të mbetet ende i papërcaktuar për shkak se tani për tani ai nuk ka me se të mbushet", konkludoi Genadi Shmal. Në qoftë se do të lemë mënjanë politikën, në Batumi pjesëmarrësit e konferencës mund të përcaktoheshin realisht vetëm në lidhje me çështjen se ç'rezerva lëndësh hidrokarbure (nafte dhe gazi) janë në dispozicion të tyre. Por në qoftë se ndiqej si qëllim diskutimi i asaj, se si të luftohet me Rusinë në tregun energjetik, duhet thënë se askush deri tani nuk ka arritur suksese të dukshme në relizimin e projekteve energjetike me anashkalim të Rusisë.