Siç u bë e ditur, Belgjika, Britania e Madhe, Gjermania, Danimarka, Irlanda, Luksemburgu, Hollanda, Franca dhe Norvegjia planifikojnë të bashkojnë burimet ekzistuese alternative të energjisë në një rrjet me përmasa tejet të mëdha, duke shtruar për këtë qëllim mijëra kilometra kabllo nëpër fundin e Detit të Veriut. Ai destinohet të bashkojë parqet e sigurimit të energjisë eoliane në zonat bregdetare të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe me hidrocentralet në Norvegji, me stacionet elektrike që shfrytëzojnë energjinë e baticave në bregdetet e Danimarkës dhe Belgjikës si dhe me parqet e sigurimit të energjisë eoliane dhe impiantet e shfrytëzimit të energjisë diellore në kontinent. Projekti është quajtur tashmë si më ambiciozi në energjetikën bashkëkohore. Por lindin natyrshëm në lidhje me këtë një sërë pyetjesh. Mbi to përsiat në bisedën e zhvilluar me korrespondenten tonë anëtari-korrespondent i Akademisë së Shkencave të Rusisë, ekologu më i autoritetshëm i Rusisë Aleksei Jabllokov: "Mua më habit disi ai fakt, se përse duhet ky rrjeti i veçantë elektrik? Sepse deri tani edhe Gjermania, edhe vendet e tjera e kanë realizuar dhënien e të ashtuquajturit elektricitet "i gjelbër" (green electricity) nëpërmjet rrjeteve të zakonshme. Përse duhet vallë i gjithë ky rrjet i madh organizativ? Dhe unë nuk kuptoj edhe atë gjë, se përse nuk merr në të pjesë Suedia, në të cilën tashmë që në këto momente 20 % e nevojave të vendit mbulohen për llogari të energjisë së rikuperueshme. Edhe një pyetje tjetër: përse ata nuk vunë në veprim projektin "Sahara", sipas të cilit në shkretëtirë mund të ndërtohen stacione të fuqishme që shfrytëzojnë energjinë diellore. Ndërsa në parim ideja e bashkimit të burimeve të rikuperueshme të energjisë në një rrjet unik është vërtet e mrekullueshme! Unë personalisht, në princip, e përshëndes atë". Por a nuk do të cënojë vallë ai interesat e Rusisë si furnizuese e naftës dhe gazit në Europë? "Po, sigurisht, ai i prek interesat e Rusisë, e cila ëndërron të bëhet furnizuesja kryesore e lëndëve hidrokarbure në Europë. Kur filluan problemet e divergjencat me Ukrainën, europianët u trembën jashtë mase. Europa mbeti e shokuar nga situata që u krijua. Si përfundim lindi projekti "Nabucco", u morën vendime politike për tu mos u orientuar më nga Rusia në planin e sigurimit të lëndës së parë energjetike, për të minimizuar varësinë nga furnizimet e këtyre lëndëve deri në 10%. Projekti i shtrimit të rrjetit të tensionit të lartë nëpër fundin e Detit të Veriut është edhe një variant tjetër i zgjidhjes së problemit. Por kjo nuk do të ndodhë as sot e as nesër", tha Aleksei Jabllokov.