Shkarko audiofailin


Stanisllav Govoruhin. Regjizor kinematorgafik. Në fund të viteve 70-të seriali i tij televiziv "Vendi i takimit nuk mund të ndryshojë" pati një sukses të habitshëm, të paparë. Rolin kryesor në të e luajti shoku i Govoruhinit, aktori problematik, i marrë me sy të keq, i përndjekur nga qeveria e asaj kohe dhe poeti Vladimir Visockij. Filmi me subjekt mjaft të mprehtë tregonte për punën e milicisë sovjetike në vitet e para të pasluftës. Gjatë kohës së shfaqjes së tij rrugët boshatiseshin fare dhe i gjithë vendi ngrinte përpara ekranëve të televizorëve duke pritur me padurim serinë e radhës të filmit. Regjizori gjithmonë i qendron besnik parimit të vet të thjeshtë: "Unë xhiroj filma për shikuesit, për ata njerëz që i dua me të vërtetë".

Fëmijëria e Stanisllav Govoruhinit ishte mjaft e vështirë dhe e uritur. Babai i tij, kozak nga Doni, Sergei Govuruhin u dënua si "armik i popullit". Familja e tij pas kësaj internua në Siberi. Së bashku me nënën dhe motrën ata jetonin në barakë. Me qëllim që fëmijëve mos u hapnin telashe për biografinë mamaja e mbante në fshehtësi faktin e pushkatimit të babait. Ajo i dogji të gjitha fotografitë e tij. Të vërtetën mbi fatin e babait Stanisllavi dhe e motra e morën vesh vetëm në vitin 1956, pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në të cilin Nikita Krushov dënoi "kultin e individit" të Stalinit.

Falë përpjekjeve të nënës Stanisllavi mori një arsim të shkëlqyer. Mbaroi Institutin e Gjeologjisë në Universitetin e Kazanit. Por shumë shpejt pas kësaj e kuptoi se gjeologjia nuk ishte punë për të, nuk e tërhiqte fare dhe atëhere ai vendosi të vazhdonte Institutin e Kinematografisë. Pasioni i tij i viteve të rinisë, i lidhur me alpinizmin, gjeti pasqyrim në filmin e parë të xhiruar nga ai me titull "Vertikalja". Truket në këtë film ai i realizoi të gjitha vetë pa kurrëfarë sigurimi.

Si drejtor filmi, skenograf dhe regjizor Govoruhin ka xhiruar rreth 20 filma artistikë. Ka ekranizuar shkrimtarët e njohur Daniel Defoe, Mark Twain, Jules Verne, Agatha Christie. Në fund të viteve 70-të shkroi skenarin e filmit të parë sovjetik në zhanrin "Action" me titull "Piratët e shekullit të XX". Ky film theu të gjitha rekordet e deriatëhershme gjatë qarkullimit në ekranin e gjerë sovjetik. Për një vit atë e panë 100 milionë shikues.

Ditën më të lumtur të jetës së vet Stanisllav Govoruhin quan 26 korrikun e vitit 1969. Atë ditë helikopteri me të cilin po fluturonte ai u përplas në një faqe mali. Qe vërtet një habi, mrekulli e madhe vetë fakti se në atë katastrofë arritën të mbijetonin vetëm disa nga pasagjerët që ndodheshin në bordin e tij. Sipas mendimit të Govoruhinit "Zoti e mbrojti atë duke e prekur me dorën e vet". Pas kësaj katastrofe ajrore atij iu konsolidua bindja e thellë, se Zoti Fuqiplotë ia ruajti atij jetën duke e destinuar atë për plotësimin e një misioni të veçantë në këtë botë.

Ai nuk mban qendrim moskokëçarës përkatësisht fatit të vendit. Në fund të viteve 80-të Stanisllav Govuruhin fillon të shfaqë gjithnjë e më aktivisht një interes të gjallë ndaj politikës. Ndryshon tematika e filmave të tij. Ata marrin një drejtim të theksuar social. Ai xhiron filmin dokumentar me titull "Kështu nuk rrohet më", i cili tingëlloi si dënim me vdekje për regjimin socialist. Por edhe realitetin kapitalist Govoruhin nuk e pranoi. Megjithëse u bë edhe deputet parlamenti, kurse në vitin 2000 paraqiti kandidaturën e vet për në postin e presidentit të Rusisë.

Aktualisht Govoruhin është 73 vjeç. Ai, si dhe më parë, mbetet mjaft elegant, njeri që të imponon respekt, fjalëmençur e me sjellje prej fisniku. Me çibukun që nuk e ndan kurrë nga goja. Kinematografia e këtyre viteve të fundit e irriton pa masë atë, veçanërisht kulti i heroit të fortë, që nuk i ka aspak punët mirë me ligjin. "Heronj për fëmijët tanë po bëhen banditët, të cilët ata i imitojnë në lojrat e veta", shprehet me pikëllim, me brengë në shpirt ai. Dhe shton: "Shumë nga kolegët e mi nuk arrijnë ta perceptojnë dot se çfarë instrumenti të rëndësishëm dhe njëkohësisht të tmerrshëm kanë në duart e veta".