Shkarko audiofailin


Në fund të javës së parë të vitit që sapo hyri Kreu i MPJ të Suedisë Carl Bildt i dorëzoi, në ceremoninë solemne organizuar në Teatrin Mbretëror të Operas së Madridit, shkopin simbolik të stafetës të kryesimit në Bashkimin Europian Kreut të qeverisë spanjolle José Luis Rodríguez Zapatero. Ceremonia në fjalë u zhvillua  në prani të Mbretit të Spanjës Juan Carlosit të I-rë. Duke marrë fjalën në këtë ceremoni Kryeministri spanjoll deklaroi, se vendi i tij "do të shkrijë të gjitha forcat me qëllim që të plotësojë me dinjitet misionin e nderuar që i ngarkohet atij tani". Sigurisht që fjalët e bukura, mbresëlënëse janë atribut i pandarë i çdo ceremonie. Ndërsa krejtësisht tjetër punë janë ditët e zakonshme që do të vijnë pas saj. Ndërsa ato për Kryetaren e re të Bashkimit Europian-Spanjën-nuk mund të përshkruhen aspak me ngjyra të gëzueshme, optimiste. Bile më tepër se kaq,  ato konturohen apriori me tonalitete të zymta. Së pari, siç vënë në dukje ekspertët, Bashkimi Europian po hyn në vitin e ri me një barrë të tërë deficitesh të vjetra buxhetore dhe me papunësi të lartë. Kurse, së dyti, në urën e komandimit politik të anijes së "Europës së Madhe", në të cilën pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës u dukën figura të reja, po fillon në dukje e mirësjellshme, por mjaft evidente "vënia e bërrylave" njëri tjetrit rreth timonit të pushtetit. Përsa i përket aspektit të parë, duhet thënë, se, në veçanti, sipas të dhënave të Agjencisë Eurostat, në nëntor të vitit të kaluar, në tërësi, në mbarë BE papunësia përbëri 9,5%. Ky është treguesi më i lartë që nga viti 2000. Pozita prej lideri përkatësisht papunësisë zë Letonia-me 22,3 %, pas saj vjen vetë vendi kryesues aktual në BE-Spanja me shifrën 19,4%. Po vijnë duke rënë rejtingët e borxheve. Në fund të vitit agjencitë botërore të rejtingëve i ulën ato për Greqinë dhe për po atë Spanjë. Kurse tani radhën e kanë Irlanda, Portugalia dhe, ndoshta, Britania e Madhe dhe Franca. Nuk të habit aspak fakti, se shumë ekspertë dhe politikanë në Europë e pritën me ironi kërcënimin e Zapateros për të vendosur sanksine gjobitëse ndaj atyre vendeve që nuk mund të sigurojnë rritje ekonomike. Botimi britanik "The Financial Times" deklaroi pa doreza: "Spanja çalamane po merr mbi vete rolin e kallauzit të Europës". Është e pamundur të mos merret parasysh edhe ai fakt, se afër Zapateros do të ndodhen vazhdimisht pranë Kreu i Komisionit Europian José Manuel Barroso  dhe Presidenti i ri i Këshillit Europian Herman Van Rompuy. Nikollai Kaveshnikov, Drejtori i sektorit të Degës së studimeve të integrimit europian të Institutit të Europës, e vlerëson situatën e krijuar jo pa ironi: "Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës në Bashkimin Europian, - thotë eksperti, - u krijua një situatë mjaft e çuditshme. Atje janë mbledhur tok si shumë eprorë, drejtues. Se në ç'mënyrë do të bashkëveprojnë midis tyre këto "koka të mëdha" (pezzi grossi), për më tepër se nuk ka një përcaktim, ndarje të qartë të kompetencave të tyre, është mjaft vështirë të parashikohet. Që këtej mund të zënë fill një sërë konfliktesh si të karakterit personal, ashtu dhe institucional", thotë Nikollai Kaveshnikov. Kurse ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse tu urojmë të gjithë "shefave të mëdhenj" të Bashkimit Europian suksese në punën e tyre.