Më 31 dhjetor në kinematë ruse do të shfaqet filmi i ri  "Rrufeja e zezë". Ky është filmi i pestë i Timur Bekmambetov-regjizorit dhe producentit të njohur, i cili do të dalë në ekranin e madh në vigjilje të Vitit të Ri.

"Rrufeja e zezë" është filmi i parë rus mbi super heronjtë. Në të bëhet fjalë për historinë e shndërrimit të një djaloshi të zakonshëm në hero-mbrojtës të qytetit, luftëtar të fshehtë kundër së keqes. Ngjarjet zhvillohen në Moskë, në ditët e sotme. Timur Bekmambetov nuk e fsheh aspak, se nga të gjithë super heronjtë, ai që vepron në filmin e ri "Rrufeja e zezë" është veçanërisht interesant për të..: "Mua më pëlqejnë historitë, në të cilat njerëzit e zakonshëm zotërojnë aftësi të mbinatyrshme, shprehet ai. Dhe filmi ynë flet pikërisht për atë, se sa të vështirë e ka njeriu i zakonshëm, në qoftë se papritur zbulon tek vetja mundësi të tilla. Në rastin me heroin tonë - është makina ajo që mund të fluturojë. Mua më duket, se gjëja më interesante këtu është të përfytyrosh se si ti do të sillesh dhe se çfarë gjërash të reja do të ndodhin në jetën tënde, në qoftë se papritur makina jote mund të fluturojë". Sipas mendimit të Timur Bekmambetovit, me këtë film krijuesit ripërtërinë traditën e kinematografisë sovjetike, në të cilën kishte shumë heronj të aftë të sakrifikonin vetëveten për të tjerët.

Ndërsa aktori i njohur Sergei Garmash, i cili luan rolin e babait të personazhit kryesor, shpreson në atë, se fëmijët e sotëm do të fillojnë të luajnë "Rrufetë e zeza", meqenëse brezi i tij në vitet 1960 luante "Hakmarrësit e pakapshëm"- personazhet shumë të njohur të filmit me të njëjtin titull. "Unë mendoj, shprehet Timur Bekmambetov, se "Rrufeja e zezë" do të bëhet surpriza më e papritur për auditorin rus. Ai do ti bëjë festat e Vitit të Ri veçanërisht të magjishme dhe do të mundë ti mbledhë të gjithë njerëzit në kinema: ata do të kenë për çfarë të flasin, për çfarë të diskutojnë".

Timur Bekmambetov njoftoi gjithashtu, se në verë do të fillojë xhirimet e vazhdimit të këtij filmi. Bile më tepër se kaq, ai premtoi të xhirojë çdo vit nga një film për "Rrufenë e zezë" dhe ta shfaqë atë në ekranet e kinemasë në prag të Vitit të Ri.