Në rrugën e vet drejt tolerancës së gjithmbarshme bota mund të humbasë një nga festat e veta më të dashura, paralajmëron botimi i përjavshëm "Itogi". Me kalimin e çdo viti sulmet ndaj Krishtlindjeve në Europë dhe në Amerikë po vijnë duke u rritur vazhdimisht. Ish perandoritë perëndimore provojnë kompleksin e fajit përpara kolonive të veta të mëparshme dhe përpiqen, me shfaqjen e kësaj korrektësie politike, të përkujdesen në këtë mënyrë për emigrantët. Ndërsa këta të fundit nga ana e vet i rezistojnë me këmbëngulje e kokëfortësi asimilimit duke u përpjekur me agresivitet ti imponojnë traditat e veta kulturore popullsisë autoktone, rrënjëse të Botës së Vjetër dhe të Re. Dhe precedente të kësaj tashmë ka jo pak. Në Britaninë e Madhe, për shembull, burokratët e zellshëm u përpoqën të ndalojnë venien e spektakleve me motive të Krishtlindjeve nga nxënësit e shkollave në skenë, pulën e detit të pjekur në tavolinën e festës së Krishtlindjeve, zbukurimin e zyrave me degë bredhash. Dhe gjatë kësaj përherë trilloheshin justifikime bindëse të tipit: mishi është i dëmshëm për shëndetin, lodrat mund të thyhen e ti shkaktojnë trauma fëmijëve, nuk është mirë të priten e të dëmtohen pemët, e kështu me radhë... Tani për tani njerëzit e kanë shumë të vështirë ta besojnë se festa mund të bëhet viktimë, të sakrifikohet për hir të tolerancës.

Komentimi i artikullit të ditës

Drejtuesi i Qendrës ruse të studimeve etnopolitike dhe rajonale Emil Pain shprehet mbi rrezikun e erozionit të traditave: "Toleranca është pikërisht forma jo detyruese e komunikimit. Ajo është dialog kulturash dhe jo kulturim i detyruar. Bile më tepër se kaq, toleranca është gjithmonë e kufizuar nga domosdoshmëria e rregullave të përbashkëta në shkallë shteti. Dhe jo vetëm rregullave të lidhura me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Ekziston domosdoshmëria e ruajtjes së traditave themelore kulturore të shoqërisë, të cilat formohen gjithmonë mbi bazë të traditave historike të shumicës etnike. Ekzistojnë simbole të caktuara kulturore që janë të rëndësishme, të paktën, për adaptimin e emigrantëve. Në qoftë se nuk ka ndofarë rregulladh e kushtesh të përgjithshme, atëhere njrëzit e kanë shumë më të vështirë të orientohen në shoqëri, ata nuk dinë se si të sillen. Prandaj tentativat apo fjalët e shprehura mbi likuidimin e disa traditave kombëtare janë krejtësisht absurde, të dëmshme dhe, për mendimin tim, budallallëk i madh", shprehet Drejtuesi i Qendrës ruse të studimeve etnopolitike dhe rajonale Emil Pain.