310 vjet më parë u lëshua dekreti personal nga ana e Carit rus, Pjetrit të Madh “Mbi festimin e Vitit të Ri”. Në përputhje me rregulloret e qeverisë festat e Vitit të Ri duhej të kremtoheshin çdo vit nga 1 deri më 7 janar.

Qytetarët rusë urdhëroheshin që këtej e tutje ta llogarisnin kronologjinë kohore jo nga momenti i krijimit të botës, siç ishte bërë traditë një gjë e tillë, por sipas kalendarit europian, nga data e Lindjes së Krishtit. Pra, ata ranë të flinin gjumë në vitin 7208, ndërsa u zgjuan në vitin 1700. Në ditën e parë të shekullit të ri në Katedralen Uspenskaja në Kremlin u zhvillua një liturgji me këtë rast. Pas liturgjisë në Sheshin e Kuq shtinë me top dhe u hodhën fishekzjarre. U dha urdhëri që oborret e shtëpive të zbukuroheshin me degë jeshile bredhash me emblema dhe simbole të ndryshme dhe të ruheshin këto zbulurime deri më 7 janar. Dhe me këtë rregullat e reja të festimit të Vitit të Ri nuk përfunduan, por vetëm sapo filluan. Në ditët e para të janarit në portat e shtëpive, në shtyllat tregut dhe kangjellat e qytetit u dukën shpalljet me njoftimin, se që nga dita e Shfaqjes së Hyjit të gjithë rusët, përveç klerikëve dhe fshatarëve, urdhëroheshin që në dimër të vishin qyrqet, gëzofët, kurse në verë veshjen e lehtë gjermane me këpucë. Moska me rënkim filloi të ndërrojë veshjet e vjetra tradicionale me të rejat më të ngushta e më të shkurtra. Gratë duhej të ngjishnin medoemos korsenë në trup, kurse burrat të rruanin mjekrën.

Monarku i madh filloi ta riorganizojë Rusinë sipas modelit europian dhe zhvendosja e Vitit të Ri nga shtatori në janar ishte masë që bënte pjesë në reformat e Pjetrit të Parë, thotë historiani Aleksei Aleksandrov:

- Së pari, pati vend asaj kohe një prirje e tillë e përgjithshme politike: rruajtja e mjekrave, mbajtja e camisolese-ve (xhaketave të gjata për burra deri në gjunjë me prerje në bel) dhe Viti i Ri europian. Përveç kësaj, Pjetri i Madh, thjesht, i kishte shumë qejf argëtimet dhe prandaj Viti i Ri festohej me salltanet të madh: qëllohej me topa, me armë, njerëzit i zbukuronin shtëpitë me degë bredhi, bredhat i vendosnin në oborret e shtëpive dhe Cari me suitën e tij shkonte në gostitë e shtruara nga bojarët (çifligarët) dhe atje pinin në mënyrë që papërshkruar deri sa bëheshin xurxull fare. Dhe shoqëroheshin këto argëtime me fishekzjarre.

Si çdo gjë e re, tradita për ta festuar Vitin e ri në janar dhe jo sipas zakonit të hershëm në shtator, nuk u pranua menjëherë. Pjetri të Parë iu desh ti bindë personalisht bojarët (çifligarët), të cilët vinin theksin gjatë argumentimit të mospranimit të tyre, se “Perëndia nuk mund ta krijonte në kurrëfarë mënyre botën në mes të dimrit”. Si përgjigje ndaj kësaj Cari u tregonte atyre globin dhe u shpjegonte, se bota është e madhe, dhe në qoftë se në Rusi bën dimër tani, diku, p,sh., në ekuator, mban një vapë më e madhe se sa në verë në Rusi. Porse tani askush nuk është në gjendje ti detyrojë rusët të heqin dorë nga kjo festë. Bile më tepër se kaq, në Rusinë bashkëkohore Vitin e Ri e kremtojnë 2 herë: herën e parë së bashku me gjithë botën, kurse herën e dytë pas dy javësh, sipas Kalendarit të vjetër Julian.