0Mbi rolin historik të Josif Stalinit do të vazhdojnë të diskutojnë e debatojnë jo vetëm gjatë këtij shekulli, por edhe në qindvjeçarët e ardhshëm. Sado paradoksale që të duket kjo, për një pjesë të caktuar të popullsisë së Rusisë, ai si dhe më parë, mbetet udhëheqës i madh dhe strateg ushtarak gjenial. Kurse për të tjerët-gjeni i lig i së keqes, të tillë siç ka njohur jo pak historia botërore. Jo krejt rastësisht gjatë kohës së dialogut të paradokohshëm të drejtpërdrejtë të Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin me qytetarët e vendit, kur ai iu përgjigj pyetjeve më të mprehta, më neuralgjike që preokupojnë bashkëqytetarët tanë, atij iu lutën ti japë vlerësimin e vet veprimtarisë së Stalinit: "Shumë debate po zhvillohen në shoqëri në lidhje me këtë temë. Vërej njëfarë "kurthi, prite" në këtë pyetje që më drejtohet mua: të them se mbaj qendrim "pozitiv" do të mbetën të pakënaqur disa. Të them "negativ"- do të shprehin indinjatë disa të tjerë. Por meqenëse tema e Stalinit dhe Stalinizmit deri tani vazhdon të diskutohet aktivisht, unë e lashë posaçërisht atë pa përgjigjen. Sipas mendimit tim, nuk mund ti jepet figurës së tij kurrësesi një vlerësim tërësor. Duket fare qartë, se që nga viti 1924 e deri në vitin 1953 vendi, ndërkohë që gjatë kësaj periudhë udhëhoqi Stalini, ndryshoi në mënyrë rrënjësore: nga vend agrar ai u shndërrua në shtet industrial. Vërtet, fshatarësi nuk mbeti pas kësaj në vend, po ne të gjithë e kuptojmë për mrekulli problemin që lindi, veçanërisht në periudhën përfundimtare, me ekonominë bujqësore", tha Vladimir Putin. Falë industrializimit Bashkimi Sovjetik mori mbi vete barrën kryesore të luftës kundër fashizmit dhe siguroi fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Por, pavarësisht nga këto fakte të padiskutueshme, të gjitha këto u arritën me një çmim të palejueshëm-me çmimin e miliona jetëve njerëzish të pafajshëm, të cilët iu nënshtruan përndjekjeve të egra, barbare, mendon eksperti i Shkollës së Lartë Ekonomike Lev Ljubimov: "Unë mendoj, se çfarëdolloj përpjekjesh për vlerësimin në kah pozitiv të veprimtarisë së Stalinit janë blasfemi, sakrilegj i vërtetë dhe krejtësisht të papranueshme përpara kujtimit të dhjetra miliona viktimave të kohës së drejtimit të tij. Po e përsëris edhe një herë: dhjetra miliona viktimave... Duke filluar me Gulagun e duke përfunduar me Revolucionin e Madh të Tetorit, viktimat e të cilëve nuk kanë të numëruar. Unë nuk vërej ndofarë suksesesh të veçanta në veprimatrinë e shokut Stalin. Fitorja e arritur në Luftën e Madhe Patriotike nuk është aspak meritë e tij. Ajo është meritë e dhjetra milionë bashkatdhetarëve tanë që flijuan jetën e vet për hir të arritjes së kësaj Fitoreje". Dhe sa më shumë i largohemi ne epokës së stalinizmit, aq më evidente bëhet palejueshmëria e pagimit të një çmimi të tillë kaq të shtrenjtë për zhvillimin e vendit. Dhe, siç tregoi sondazhi i fundit që u zhvillua nga Qendra Mbarëruse e Studimit të Opinionit Publik në lidhje me këtë temë, 58 % e qytetarëve të anketuar rusë nuk shohin kurrëfarë domosdoshmërie në atë, që në krye të Rusisë të qendrojë një politikan i tipit të Stalinit.