0Asnjë nga vendimet e Hitlerit nuk vlerësohet në masë kaq të madhe i diskutueshëm dhe misterioz, si shpallja në mënyrë të befasishme e luftës SHBA-s nga ana e Gjermanisë. Ndodhi kjo më 11 dhjetor të vitit 1941. Plot 5 ditë mbas fillimit të kundërofensivës së Ushtrisë së Kuqe nën Moskë dhe 4 ditë pas sulmimit nga Japonia të bazës ushtarako-detare amerikane në Pearl Harbor. Si dhe më parë e pamposhtur mbetej Anglia. Pësoi fiasko blitzkrieg-u (lufta e rrufeshme) kundër Bashkimit Sovjetik. Vendet e okupuara nuk ishin të sigurta. Kurse Hitleri i hedh vetes barrë mbi shpinë edhe një kundërshtar të ri, i cili zotëron potencial të fuqishëm ushtarak dhe ekonomik. Po për ç'arsye? Kësaj pyetje tenton ti përgjigjet në komentin e vet kandidati i shkencave historike Sergei Guk. Ministri i punëve të jashtme të Rajhut (Drittes Reich) Joachim Von Ribbentrop deklaroi, se Gjermania shpall gjendje lufte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fillimin e veprimeve ushtarake kundër flotës ushtarake gjermane. Më 11 shtator të vitit 1941 Presidenti i SHBA-s deklaroi hapur, se ai i dha urdhër flotës dhe aviacionit amerikan të hapin zjarr pa kurrëfarë mëdyshje mbi çdo mjet ushtarak transportues gjerman. Qeveria e Rajhut të Tretë (Drittes Reich) konstaton: megjithëse Gjermania nga ana e vet gjatë gjithë luftës aktuale i është përmbajtur rreptësisht së drejtës ndërkombëtare përkatësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeveria e SHBA-s kaloi nga shkeljet fillestare të neutralitetit tek veprimet e hapura luftarake kundër Gjermanisë. Në qoftë se do ti besohet fjalëve të elitës naziste, ishte pikërisht Presidenti i SHBA-s Franklin Delano Roosevelt ai që, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, e detyroi Rajhun për të ndërmarrë masa ekstreme, duke e provokuar atë për fillimin e veprimeve ushtarake. Historiani dhe diplomati Valentin Falin, njëri nga njohësit më kompetentë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, shpreh tani përpara mikrofonit të "Zërit të Rusisë" mendimin e vet: "Roosevelt-i i tha Stalinit në Teheran: "Në qoftë se Japonia nuk do të kishte sulmuar SHBA-s, atëhere, ndoshta, deri në vitin 1943 Shtetet e Bashkuara formalisht do të kishin mbetur neutrale në luftën me Gjermaninë. Të paraqitet tablloja si e tillë, sikur Roosevelt-i në vitin 1941 u poq për luftën me Gjermaninë, kjo nuk i përgjigjet aspak realitetit, nuk është e vërtetë", thotë Valentin Falin. Vetë Hitleri nuk e shpjegoi se përse e bëri këtë gjë. Ndoshta, ndofarë dokumentesh në lidhje me këtë fakt disponojnë vetë amerikanët, në qoftë se arritën të shtijnë në dorë kancelarinë e Hitlerit në prill të vitit 1945. Por amerikanët këtë temë nuk e ndriçojnë.