0Dita e Migrantit, e cila kremtohet më 18 dhjetor, prek një nga temat më të rëndësishme të jetës së Rusisë bashkëkohore dhe, në fakt, jo vetëm të asaj. Siç tha Presidenti Dimitri Medvediev, "në Rusi, si dhe më parë, po vazhdon të dyndet një rrymë e madhe migrantësh, një pjesë e mirë e të cilëve synon të marrë nënshtetësinë ruse". Por marrja e nënshtetësisë ruse nga njerëz, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk mund të integrohen në jetën e shoqërisë, përbën rrezik për të. Falë proceseve të globalizimit kjo temë ka marrë karakter mjaft aktual për shumë shtete, para së gjithash, për vendet europiane. Drejtori i Institutit rus të demografisë të Shkollës së Lartë Ekonomike Anatoli Vishnjevskij flet tani përpara mikrofonit tonë mbi dallimet midis proceseve të migracionit në Europë dhe në Rusi: "Veçoria e Rusisë konsiston në atë, se ajo rrymë emigrantësh për të cilën flasin kaq shumë tek ne aktualisht dhe që ka ekzistuar vërtet gjatë gjithë këtyre 15 viteve të fundit, ka qenë megjithatë, kryesisht, riatdhesim i popullsisë rusishtfolëse nga ish republikat sovjetike.Vetëm tani ky proces po përfundon dhe Rusia po vjen duke u bërë gjithnjë e më e ngjashme me Europën, ku fillimisht vijnë përkohësisht dhe pastaj mbeten përgjithmonë njerëz nga vende të ndryshme me distancë të madhe kulturore me të. Rinia emigrante që vjen tek ne shumë shpesh nuk njeh as doket e zakonet ruse dhe nuk zotëron gjuhën ruse. Vërtet, qartësi të plotë në lidhje me atë, se si të rregullohet problemi që ka të bëjë me vërshimet e rrymave të emigrantëve nuk ka as në Rusi dhe as në Europë", konkludoi Anatoli Vishnjevskij. Duhet vënë në dukje, se Rusia këto vitet e fundit e ka liberalizuar në mënyrë të qenësishme legjislacionin e migracionit. Rezultati i përftuar nga kjo masë ndikoi pozitivisht në raportin e migrantëve legalë dhe klandestinë. Por në këtë gjë ka dhe një moment negativ. P.sh., ndihet mbiteprica evidente e fuqisë së huaj punëtore, gjë kjo që jo rrallëherë ndikon në vështirësitë e punësimit të qytetarëve rusë dhe në vetë atmosferën e marrëdhënieve midis rusëve dhe të huajve të ardhur në vend.