Zëri i Rusisë Pema kryesore e vendit e Vitit të Ri, të cilën do ta vendosin në Sheshin Katedral të Kremlinit të Moskës, po përgatitet për rrugë për në kryeqytetin rus. Pemën e prenë sot, më 18 dhjetor, në rajonin Mozhaisk të periferive të Moskës. Në atmosferë solemne u përpilua certifikata që vërteton, se ky është bredhi kryesor i Rusisë i rritur “në pyll ekologjikisht të pastër në kushte të favorshme klimaterike me përkushtim të madh e dashuri. Këtë vit për të merituar titullin e Bredhit kryesor të Vitit të Ri kanë luftuar gati 20 pretendentë. Kërkesat e paraqitura nga komisioni ishin shumë të larta, por pema me shtat të derdhur, me degë të dendura dhe pushatake e pyllit të Mozhaiskut ishte jashtë çdo konkurence. Portfolio i bredhit tonë ishte mjaft impresionues, tregon Drejtori i ekonomisë pyjore të Borodinskut Mahaç Shirinov: “Bredhi i zgjedhur është unikal përkatësisht prejardhjes së vet. Ne jemi marrë me kultivimin e tij plot 20 vjet me radhë. Jemi përkujdesur për të në mënyrë të veçantë, e kemi krasitur me merak dhe e kemi plehëruar me plehra speciale”, tregon Mahaç Shirinov. Dhe megjithëse bredhi-fitues ka një moshë rreth 100 vjeçare, pamja e tij është e mrekullueshme, madhështore: me trung të trashë të drejtë dhe degë të dendura pushatake. Jo më pak i rëndësishëm është edhe ai fakt, se bredhi fitues hyn në kategorinë e pemëve që janë planifikuar për tu prerë, kështu që natyrës në këtë rast nuk i shkaktohet asnjë dëm. Vonë, në mbrëmjen e ditës së shtunë, më 19 dhjetor, me qëllim që të mos pengohet trafiku rrugor i kryeqytetit, bukuroshen e pyllit të shoqëruar nga një autokolonë e milicisë do ta nisin për në Moskë. Sipas traditës që e merr zanafillën e vet nga periudha e hershme e shekullit të XVII-të, heroinën kryesore të Vitit të Ri nga pylli i Mozhaiskut, në çdo pikë ndalese të rrugës së saj do ta presin me këngë dhe kërcime. Nën tingujt e orëve të Kremlinit bukuroshen e gjelbër do ta fusin në Kremlin nga Portat kryesore Spasskie, të cilat hapen vetëm në raste evenimente të veçanta solemne. Më 20 dhjetor bukuroshen e gjelbër të Vitit të Ri do ta vendosin në një konstruksion të posaçëm betoni në formë karkase në Sheshin Katedral të Kremlinit të Moskës dhe do ta stolisin. Kurse më 26 dhjetor në Kryeqytetin rus do të vijë Babagjyshi i Vitit të Ri, i cili dhe do të ndezë dritat në të. Pjesëmarrës të kësaj feste do të bëhen më tepër se 5 mijë rusë.