Zëri i Rusisë Vitin e ardhshëm 2010 do të startojë Olimpiada Kulturore në Soçi. Ajo i kushtohet Lojrave Olimpike Dimërore, të cilat do të zhvillohen pas 4 vjetësh në këtë qytet rus që ndodhet në bregdetin e Detit të Zi. Olimpiada në fjalë do të zgjasë deri në vitin 2013. Kështu u deklarua në prezantimin e programit në Moskë. …Kuadrot kinematografikë që zëvendësojnë njëri-tjetrin: Karmeni e zjarrtë, plot pasion e interpretuar nga balerina e madhe ruse Maja Pliseckaja dhe Karmeni në akull e interpretuar nga patinatorja e talentuar e patinazhit artistik Tatjana Navka; skena me përleshje nga Beteja e Borodino-së të marra nga filmi, i cili ka fituar çmimin e madh Oskar “Lufta dhe Paqja”, lufta e ashpër në akull midis hokeistëve rusë dhe atyre kanadezë; gëzimi i fitores së këngëtarit Dimitri Bilan në Eurovison dhe përpjekjet e fundit të kampiones olimpike, skiatores Julia Çepallova…. Të gjitha këto evenimente të marra së bashku sikur duan të thonë: shikoni sa shumë gjëra të përbashkëta ka midis kulturës dhe sportit tonë. Rusia mund të krenohet njëlloj si me artin ashtu edhe me sportistët e saj. Me këto fjalë startoi prezantimi i Olimpiadës Kulturore në Soçi. Përsa i përket kohëzgjatjes, ky eveniment do të lërë pas të gjitha veprimtaritë që janë realizuar më parë në historinë e Olimpiadave, por edhe përsa i përket rëndësisë së ngjarjeve kjo olimpiadë nuk do t’ia lëshojë vendin e parë askujt. Më shumë se 1000 mijë veprimtari artistike përfshin ky program dhe çdo vit i kushtohet një lloji të caktuar arti: viti 2010 do ti kushtohet kinematografisë, viti 2011-teatrit, viti 2012-muzikës dhe viti i fundit-muzeumeve. Në vitin e teatrit, për shembull, në Soçi nga Shën Peterburgu do të vijë ekskluzisht për të nderuar këtë Olimpiadë Kulturore, trupa e famshme teatrale e Mariinskut, pjesëmarrësit e festivaleve më të mëdhenj teatralë ruse “Золотая маска” (“Maska e artë”) dhe “Территория” (“Territori”). Kurse në vitin e muzeumeve do të organizohen ekspozita me koleksione të Ermitazhit të famshëm peterburgas dhe Galerisë moskovite të Tretjakovit. Në vitin e muzikës, yjet botërorë do të organizojnë festivalet e tyre në Soçi. Midis tyre mund të përmendim këngëtaren operistike Anna Netrebko, dirigjentin Valerij Gergiev, muzikantin që i bie violës Jurij Bashmet, këngëtarin e xhaz muzikës Igor Butman. Siç i tregoi dhe korrespondentit të radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Presidenti i Komitetit Organizativ “Soçi 2014” Dimitri Çernishenko, “u zhvillua një konkurs i vërtetë për pjesëmarrjen në Olimpiadën Kulturore, dhe kjo gjë nuk u bë fare rastësisht, por dhe për vetë faktin sepse Rusia është mjaft e njohur me traditat e saj të pasura kulturore”. Kështu që, Olimpiada Kulturore do ta hapë programin e saj me kinematografinë. Dhe, sigurisht, në radhë të parë do të shfaqen filma me tema rreth sportit. Legjenda e patinazhit artistik në akull Irina Rodnina do të jetë prezantuesja e Festivalit të filmit sportiv, të cilën do ta ndihmojë regjizori i njohur Aleksei Uçitel. Në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë “Zëri i Rusisë”, Aleksei Uçitel konfirmoi faktin se do të xhirojë një film mbi përgatitjen e Olimpiadës në Soçi: “Unë jam tifoz, e dua jashtëzakonisht sportin, adhuroj futbollin, biatlonin, kërcimet nga trompolina. Gjithmonë emocionohem kur ndjek ndeshjet në televizor ose kur i shoh drejtpërsëdrejti në vendin ku zhvillohen. Kjo gjë është gjithmonë tepër zbavitëse, interesante.Unë mendoj se puna e trajnerit faktikisht është shumë e ngjashme me punën e regjizorit dhe në lojra të ndryshme sportive sportistët janë dhe aktorë! Në të vërtetë, Olimpiada është evenimenti më i madh sportiv, kulminacion emocionesh për të gjithë njerëzit të cilët e shikojnë atë, përjetojnë. Mos marrësh pjesë në të është me të vërtetë për të ardhur keq! Gjatë prezantimit, njerëz të njohur nga bota e artit dhe show biznesit dhanë ide nga më të ndryshmet, të cilat sipas mendimit të tyre mund ta bëjnë edhe më të larmishëm programin e Olimpiadës Kulturore. Skulptori i njohur Zurab Cereteli propozoi ndërtimin në Soçi të Muzeut të sportit dhe artit. Ndërsa këngëtari Dima Bilan pranoi se ëndërron të marrë pjesë në show e hapjes së Lojrave Olimpike në Soçi. Saksofonisti Igor Butman tregoi përpara mikrofonit të “Zërit të Rusisë” për festivalin e vet “Aquaxhaz”: Festivali “Aquaxhaz” do të zhvillohet në ujë, sepse në Soçi ujë ka me shumicë. Prandaj ne mund të organizojmë mjaft pista të hapura në aquaparqe. Unë në këtë festival do të ftoj edhe muzikantë të rinj, edhe yje të xhazit. Në këtë mënyrë njerëzit do të pushojnë dhe njëkohësisht do të dëgjojnë muzikë të këndshme, kurse nga ana e vet muzikantët do të këmbejnë eksperiencë me kolegët e tyre amerikanë, norvegjezë, suedezë dhe italianë. Olimpiada Kulturore do të tërheqë vemendjen ndaj vetë Soçit, ai do të bëhet një nga qytetet turistike me famë botërore”, shprehet me bindje muzikanti. Gjatë prezantimit të Olimpiadës Kulturore në Soçi vemendjen e të pranishmëve të shumtë e tërhoqën projektet speciale: karnavali shumëngjyrësh “Soçnij fest”, festivali i artit ekologjik “Green art”, programi i të rinjve “Neve nuk na arrini dot” dhe më në fund, festivali i këngës autoriale “Vera është një jetë e shkurtër”. Me që ra fjala, organizatorët e tij, në veçanti, bardi i njohur Oleg Mitjaev, vendosën të zhvillojnë konkursin e këngës më të mirë për qytetin e Soçit dhe Olimpiadën. Mitjaev, në përgjithësi, mendon se sporti është i pandarë nga kënga, midis tyre ekziston një lidhje sakrale: “Kur tingëllon kënga “Pesëshja e mrekullueshme dhe portieri”,- kujton bardi himnin e famshëm të hokeit të kompozitores Aleksandra Pahmutova, — kjo ia shton akoma dhe më tepër optimizmin lojtarëve. Në përgjithësi, ka këngë shumë të bukura për sportin dhe pikërisht arti është i destinuar ti ndihmojë sportistët, ti përgatisë ata ashtu siç duhet shpirtërisht. Madje edhe gjatë përgatitjes së mjaftueshme dhe formës së mirë sportive atyre prapë se prapë i duhet një mbështetje e tillë. Muzikantët, artistët e kuptojnë për mrekulli këtë. Prandaj jo më kot yjet e muzikës së lehtë ruse kompozuan himnin e Lojrave Olimpike që përpara se Soçi të fitonte konkursin mbi të drejtën për tu quajtur kryeqytet i Olimpiadës-2014. Mbase edhe kjo melodi ndikoi gjithashtu në arritjen e fitores?!