Zëri i Rusisë Rajoni i BallkanitNë Moskë, në Dumën Shtetërore, u zhvillua konferenca ndërkombëtare “Ballkani në shekullin e XXI-të: dimension gjeostrategjik dhe gjeopolitik”, me pjesëmarrjen e deputetëve dhe shkencëtarëve nga vende të ndryshme. Ndër ta ishte edhe Anna Filimonova, shkencëtarja e njohur nga Qendra e studimit të krizës bashkëkohore ballkanike të Institutit të Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë. “Unë mendoj se kjo konferencë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sepse, sigurisht, Rusia ka nevojë për përpunimin e një strategjie bashkëpunimi tejet serioze, të argumentuar dhe me perspektivë me vendet ballkanike, - vuri në dukje Anna Filimonova. - Në këtë konferencë ne u përpoqëm të shqyrtojmë të gjitha aspektet e problemit në fjalë, përcaktuam drejtimet kryesore të bashkëpunimit me shtetet e rajonit ballkanik, evidentuam “pikat neuralgjike” kryesore të tij. Dhe ne shpresojmë shumë se konferenca do të ketë rezultate praktike. Përsa i përket “pikave neuralgjike”, duhet thënë se në Ballkan ato janë jo të pakta. Në veçanti, Serbia deri tani provon hidhërim të madh për shkak se nën presionin e Perëndimit u miratua “Plani i Ahtisaarit”, gjë pas së cilës Kosova fitoi pavarësinë pa pëlqimin e Beogradit. Kurse tani Perëndimi mbështet separatistët e një krahine tjetër të Serbisë-Vojvodinës. Ndërsa kjo mund të çojë në shpërbërjen e mëtejshme të shtetit serb”, tha Anna Filimonova. Për këtë u shprehën me dhimbje në zemër, në veçanti, edhe Dragan Todoroviç dhe Dragutin Matanoviç, deputetë të Skupshtinës të Republikës Srpska. Ata të dy theksuan gjithashtu, se bashkatdhetarët e tyre presin me shpresë të madhe realizimin e projektit të gazsjellësit “South Stream”, falë të cilit gazi natyror nga Rusia do të pompohet nëpërmjet tubacionit të shtruar nëpër fundin e Detit të Zi në Ballkan dhe më tej në Europën Perëndimore. Anna Filimonova vazhdon më tej si vijon: “Gazsjellësi “South Stream” ka një rëndësi kyçe, domethënie strategjike dhe bile gjeopolitike si për Rusinë, ashtu dhe për Serbinë. Ai do të kalojë, ndër të tjera, edhe nëpër territorin e Serbisë me dalje të mëpastajshme në Itali, Austri, kurse më pas në Francë, - vazhdon Anna Filimonova. - Serbisë ai do ti lejojë të shndërrohet në njëfarë lloj qendre ekonomike në Ballkan, të paktën, do ti japë shans këtij vendi të bëhet lojtar i rëndësishëm politik dhe ekonomik në rajon. Sigurisht, në Konferencë u fol jo vetëm për Serbinë, por edhe për vendet e tjera ballkanike. Ne diskutuam, p.sh., tema të tilla jashtëzakonisht të rëndësishme si roli i Islamit në Europën bashkëkohore dhe faktori shqiptar në arkitekturën e re të rajonit ballkanik. Në shekullin e XX-të, siç dihet, Ballkanin e kanë quajtur shumë shpesh “fuçi baruti” të Europës. Do të dëshironim shumë që në shekullin e tanishëm rajoni i Ballkanit të shndërrohej në një zonë të sigurt paqeje e stabiliteti”, konkludoi Anna Filimonova.