Zëri i Rusisë Dimitri Medvediev Foto RIA LajmetNë konferencën botërore për klimën në Kopenhagen po krijohet një gjendje krize e plotë. Pjesëmarrësit e Forumit nuk po arrijnë dot në kompromis për shkak të mosmarrëveshjeve ekzistuese midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim. Ruhet shpresa se rrugëdalja nga qorrsokaku do të mund të gjendet nga kryetarët e shteteve, të cilët po vijnë këto ditë në kryeqytetin e Danimarkës. Presdienti i Rusisë Dimitri Medvediev u nis sot për në Kopehagen për pjesëmarrje në takimin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve në kuadrin e Konferencës së OKB-së për ndryshimin e klimës. Pjesëmarrjen e vet në forumin në fjalë e konfirmoi edhe Presidenti i SHBA-s Barak Obama. Thelbi i debateve midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim konsiston në atë, se këto të fundit dalin për vazhdimin “drejtvizor” të Protokollit të Kiotos në përputhje me të cilin detyrimet për reduktimin e emitenteve i morën mbi vete vetëm vendet e zhvilluara. Nga ana e vet ekonomitë e avancuara, ndër të tjera edhe Rusia, ngulin këmbë për përcaktimin e një qendrimi universal ndaj pjesëmarrësve të marrëveshjes së ardhshme në kushtet e rritjes së shpejtë të vendeve kryesore në zhvillim. Në lidhje me këtë, shpresa të mëdha që kanë të bëjnë me gjetjen e kompromisit, vëzhguesit lidhin me samitin që do të përfundojë punën e forumit. Në vigjilje të udhëtimit të tij për në Kopenhagen Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev diskutoi problematikën e konferencës në fjalë me bashkëpunëtorët e administratës së vet, me qeverinë, krerët e kompanive të mëdha energjetike dhe shkencëtarët e vendit. Përveç kësaj, temës në fjalë ai i kushtoi edhe shënimin e fundit në videoblogun e vet, në të cilin e quajti bashkëpunimin e të gjitha vendeve në problemin që ka të bëjë me ndryshimin global të klimës me rëndësi jetike. Në fakt, situatën rreth problemit të ndryshimit të klimës e ndërlikojnë akoma dhe më shumë dyshimet, druajtjet e shprehura nga disa ekspertë, ndër të tjera edhe në takimin me Dimitri Medvedievin, përkatësisht shkaqeve të vërteta të ndryshimit të klimës. Por Presidenti i Rusisë mendon, se marrëveshjet e post Kiotos janë të domosdoshme pavarësisht nga fakti se në ç’masë i përgjigjen realitetit objektiv përfytyrimet e shkencëtarëve mbi ndryshimet e klimës. “Në qoftë se të gjitha supozimet, hipotezat, mendimet në lidhje me klimën dhe ndryshimet globale të saj nuk do të gjejnë vërtetim në jetë, atëhere ne, si minimum, nuk humbasim asgjë, sepse do të fillojmë të merremi me efektivitetin energjetik, do të përmirësojmë mjedisin rrethues. Kjo është gjë e mirë, kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë. Por në qoftë se, mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë, problemet e pasojat për të cilat flasin aktualisht shkencëtarët, vërtet në tonalitete të ndryshme, po ndodhin megjithatë, atëhere kjo duhet bërë medoemos. Prandaj ne dalim të fituar edhe në rastin e parë, edhe në atë të dytë”, mendon Presidenti i Rusisë. Por sido që të jetë Presidenti rus e vlerësoi mjaft lart rëndësinë e Konferencës së OKB-së për klimën në Kopenhagen. Dimitri Medvediev e quan garantimin e sigurisë ekologjike një nga drejtimet më të rëndësishme të përpjekjeve kolektive të komunitetit ndërkombëtar.