Zëri i Rusisë Mbrojtësit rusë të të drejtave të njeriut erdhën në Strasburg për të marrë çmimin me emër të Andrej Saharovit. Ata janë të gjithë pjesëtarë të Organizatës ruse të mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Memorial”. Këtë vendim Parlamenti Europian e mori që në muajin tetor. Kurse sot europarlamentarët do ti dorëzojnë çmimin “Për lirinë e mendimit” Ludmilla Aleksejevas, Oleg Orllovit dhe Sergei Kovaljovit. Qytetarët rusë për herë të parë nderohen me çmimin “Saharov” për 21 vjet të ekzistencës së tij. Ky çmim u themelua nga Parlamenti Europian në vitin 1988-të. Çmimi dorëzohet çdo vit “Për arritje në kauzën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe për respektimin e legjislacionit ndërkombëtar dhe zhvillimin e demokracisë”. Meqë ra fjala, pikërisht akademiku dhe mbrojtësi i njohur rus i të drejtave të njeriut Andrei Saharov dhe ka qenë themeluesi i parë i Organizatës “Memorial”. Kështu që nderimi i qytetarëve rusë me çmimin që mban emrin e tij është një eveniment i shënuar. Me këtë çmim nderohen jo vetëm meritat personale të ndokujt, por edhe arritjet e të gjithë mbrojtësve rusë të të drejtave të njeriut, deklaroi për radiokompaninë “Zëri i Rusisë” laureatja e re e çmimit “Saharov” Ludmilla Aleksejeva: “Kjo është arritje e Grupit Moskovit të Helsinkit, organizatës më të vjetër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi. Ky është nder i madh edhe për bashkëpunëtorët, edhe për anëtarët e Grupit Moskovit të Helsinkit, edhe për të gjithë partnerët tanë të shumtë në të gjitha rajonet e Rusisë. Kjo është merita jonë e përbashkët dhe ne u jemi shumë mirënjohës për faktin se mundi ynë u vlerësua”, tha Ludmilla Aleksejeva. Janë plotësisht dakort me mendimin e Ludmillës edhe në stafin drejtues të Organizatës “Memorial”. Ky është vlerësim i madh që u bëhet gjithë luftëtarëve për të drejtat dhe liritë e njeriut, thekson anëtari i stafit drejtues të “Memorial” Boris Bjellkin: “Për Rusinë kjo do të thotë, se puna e mbrojtësve të saj të të drejtave të njeriut është vlerësuar mjaft lart nga komuniteti europian. Dhe, pa dyshim, kjo do të thotë gjithashtu, se në Rusi jo gjithçka shkon mbarë e mirë në çështjen që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut. Prandaj dhe situata në vendin tonë ndodhet në qendër të vemendjes të komunitetit europian”, tha Boris Bjellkin. Laureatët e parë të çmimit që mban emrin “Saharov” i pat dekoruar vetë Andrei Dimitrieviçi. Ata ishin Nelson Rolihlahla Mandela dhe Anatoli Marçenko. Në vitin 2007 këtë çmim e meritoi përfaqësuesi i Sudanit, mbrojtësi i të drejtave të njeriut Salih Mahmoud Osman, kurse vitin e kaluar atë e meritoi desidenti kinez që mbahet i ngujuar në burg Hu Jia. Këtë vit në treshen e pretendentëve së bashku me rusët hynë edhe pacifisti palestinez Izzeldin Aduelais dhe gazetari suedez, i lindur në Eritrea, Dawit Isaak. Nominantët për çmimin “Saharov” i propozojnë fraksionet politike të deputetëve të Europarlamentit. Në mbështetje të kandidatit duhet të grumbullohet jo më pak se 40 firma.