Zëri i Rusisë Në Rusi 16 vjetorin e Kushtetutës e “kremtuan” plot dy ditë. Siç bën të ditur botimi “Novie izvestia”, megjithëse në vitin 2004 kjo datë nuk u shënua më si ditë feste në kalendar, aktivistët e lëvizjeve politike dhe të rinisë vazhdojnë ta festojnë atë me një vendosmëri e këmbëngulje që është për ta pasur zili. Kësaj herë një nga liderët e lëvizjes “Solidarnost” Boris Nemcov deklaroi, se kur në Rusi filluan të mbyllin transmetimin e kanaleve televizive të pavarura, filloi të vdesë si rezultat edhe neni 29-të mbi të drejtën e informacionit. Ndërsa kur anuluan zgjedhjet e guvernatorëve, iu vu kryqi nenit të 3-të, i cili thotë: se burim i pushtetit është vetë populli. Faktikisht, sipas mendimit të opozitarit Boris Nemcov, nuk funksionon as neni i 10-të mbi drejtësinë e mëvetësishme dhe as neni i 12-të mbi konkurrencën politike. Aktivistët prokremlinianë, sipas të dhënave të botimit “Novie izvestia”, përkundrazi, e festuan ditën e Kushtetutës për faktin, se sipas tyre, ajo u bë bazë e “stabilitetit të shtetit”.


***


Banka e Rusisë pushoi nga puna 3 bashkëpunëtorë të vet për shfaqje pakujdesie në punë, për shkak të së cilës nga llogaritë e Fondit të Pensioneve të Rusisë fluturuan më shumë se 1 miliardë rubla. Por, siç shkruan botimi “RBK Daily”, duke u referuar tek organet hetimore, meqenëse u arrit të ktheheshin lekët, atëherë të dëmtuar nuk ka dhe s’ka përse të vihen përpara përgjegjësisë penale bashkëpunëtorët e pushuar nga puna të Bankës. I dyshuari i vetëm mbetet një burrë në moshë të mesme, i cili paraqiti fatura pagese të falsifikuara. Për hetimin e rrethanave të kësaj çështjeje të paprecedentshme penale në Bankën e Rusisë u krijua një komision special. Ky komision gjatë zhvillimit të hetimit saktësoi se disa persona zyrtarë lejuan shkelje të pafalshme të rregullave të akteve normative të Bankës së Rusisë dhe si rrjedhim dolën jashtë kompetencave të punës së vet. Si rezultat kjo gjë çoi në tentativën e përvetësimit të mjeteve financiare, përfundon botimi “RBK Daily”.


***


Nëpunësit e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) i kërkuan Moskës të përcaktojë qartë qendrimin e saj ndaj negociatave për anëtarësimin në këtë Organizatë. Sipas të dhënave të botimit “Nezavisimaja gazeta”, ata premtojnë se madje edhe veto e Gjeorgjisë nuk do të merret parasysh, në qoftë se Rusia do të heqë dorë nga prioriteti i anëtarësimit në kuadrin e Bashkimit Doganor tripalësh të Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Rusisë. Deklarata të tilla tingëlluan në Uashington, në konferencën për bashkimin me komunitetin botëror të tregtisë. Por Moska nuk nxiton me dhënien e një përgjigjeje konkrete. Ka shumë të ngjarë që prioritet kryesor të jetë bërë për të tani Bashkimi Doganor, i cili do të lejojë ruajtjen e barrierave të larta importuese. Ekspertët rusë mendojnë, se në kushtet e krizës Moska zuri një pozitë në pritje përkatësisht OBT-së, duke konfirmuar formalisht synimin e vet për anëtarësim në OBT autoritetet ruse faktikisht i shmangen vazhdimit të negociatave duke preferuar ndjekjen e një kursi krejtësisht të kundërt, dhe pikërisht, atë të krijimit të Bashkimit Doganor. Interesat e mbrojtjes së prodhimit vendas për llogari të kufizimit të importit ka shume mundësi të mos i lejojnë qeverisë ruse anëtarësimin në OBT, meqenëse ky hap nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do të keqësojë akoma dhe më shumë gjendjen e ndërmarrjeve ruse, shkruan botimi “Nezavisimaja gazeta”.