Zëri i Rusisë Masat e përbashkëta të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të EuroAzisë (EvrAzEs) për kundërveprimin ndaj krizës ekonomiko-financiare po fillojnë të japin efekt pozitiv. Në këtë mënyrë i vlerëson veprimet e shteteve të bashkësisë ekonomike EuroAziatike Vladimir Putin. Dhe kjo nuk është aspak arritja e vetme që u vu në pah nga Kryeministri rus në mbledhjen e Këshillit Ndërshtetëror të EvrAzEs-it në Shën Peterburg. Me mjaft sukses po avancon formimi i Bashkimit Doganor, vendet i janë afruar shumë krijimit të hapësirës unike ekonomike. Bashkimi Doganor i tre anëtarëve të EvrAzEs-it-Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit-nuk është më projekt, por tashmë realitet. Liderët e tre vendeve e nënshkruan dokumentin për krijimin e tij më 27 nëntor në Minsk. Dhoma e Lartë e parlamentit të Bjellorusisë, siç u bë e ditur sot, e ratifikoi këtë ligj. Në një kohë fare të afërt të njëjtën gjë do të bëjnë edhe ligjëvenësit e Moskës dhe Astanasë. Por këta janë vetëm hapat e parë, ndërsa puna që duhet të bëhet është ende jashtëzakonisht e madhe, kujtoi Vladimir Putin: “Detyrë kryesore është tani krijimi i mekanizmave të përbashkët, të cilët të mund të likuidojnë jo vetëm barrierat e brendshme në territorin unik doganor, por edhe të lejojnë sigurimin e një kontrolli efektiv në konturin e jashtëm të Bashkimit Doganor. Është e domosdoshme të mos lejohet shfaqja e të ashtuquajturave “zona gri” në funksionimin e punës doganore dhe në të njëjtën kohë të mos krijohen pengesa suplementare për operatorët ekonomikë. Nga rezultatet e kësaj pune tejet të rëndësishme do të varet ajo, se sa lehtë dhe pa probleme do të mund të hyjmë në etapën vijuese të integrimit-krijimin e hapësirës unike ekonomike”, tha Vladimir Putin. Sipas fjalëve të Kryeministrit rus, Bashkimi Doganor po shndërrohet në njëfarëlloj lokomotive të bashkësisë ekonomike EuroAziatike. Moska, Minsku dhe Astanaja shpresojnë se në punën e tij do të ingranohen edhe partnerët e tjerë pjesëmarrës të EvrAzEs-it. Sepse një treg i tillë konsumi krijon mundësi suplementare për konsumatorët, si dhe rrit aftësinë tërheqëse për investime. Afatet e realizimit të planeve janë përcaktuar në mënyrë të rreptë dhe atyre duhet ti përmbahemi me rigorozitet, theksoi Vladimir Putin. Që më 1 korrik do të fillojë të veprojë regjimi i territorit unik doganor, kurse hapësira unike ekonomike duhet të formohet për 2 vjet.