“Aktualisht, gjëja më e rëndësishme janë filmat për njeriun e ditëve tona, për nevojat, problemet dhe vlerat morale të tij”, shprehet me bindje të plotë Marlen Huciev, Presidenti i festivalit ndërkombëtar “Stalker”, i cili i dedikohet të drejtave të njeriut. Forumi u hap në Moskë, sipas traditës, më 10 dhjetor- pikërisht në ditën e miratimit nga OKB-ja të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Tashmë, që prej 15 vjetësh ekziston festivali kinematografik i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi. Këto janë vitet e ndryshimeve më aktive në jetën e vendit, dhe ato, si rrjedhojë, zhvendosin akcentet në programin e festivalit. Nga drejtimi i mprehtë politik, nga demaskimi i kultit të individit dhe totalitarizmit, festivali po evoluon në drejtim të problemeve të brendshme, morale dhe psikologjike. “Sepse detyrë e artit kinematografik është që të zgjojë ndjenjat pozitive, dashamirëse tek njerëzit, ti detyrojë ata të mendojnë më thellë, të bashkëpërjetojnë”, mendon Marlen Huciev: “Festivali sigurisht që e ka plotësuar dhe vazhdon ta plotësojë këtë detyrë — të trokasë në zemrat e njerëzve,- shprehet regjizori. Unë, ndoshta, jam idealist, por megjithatë nuk e vë kurrësesi në dyshim atë fakt, se ekziston dhe lidhja e ndërsjelltë, ajo që realizohet në artin serioz, në kulturë, ndikon në klimën në shoqëri, në atë, se si do të jetë ajo në të ardhmen. Gjatë gjashtë ditëve të festivalit, duke filluar nga data 10 dhjetor, në ekranet e gjera të kinemave të Moskës do të shfaqen më shumë se 80 filma artistikë dhe dokumentarë. Ndërsa do të hapet festivali me dorëzimin e çmimeve speciale, të cilët gjithashtu mbajnë emrin “Stalker”. Me këto çmime do të nderohen heronjtë e filmave dokumentarë. Ndër ta është edhe Aleksei Orllov, ish i burgosur, ndërsa aktualisht bashkëpunëtor i Departamentit të mbrojtjes sociale të Moskës. Filmi i Natalia Tapkovës “Rruga drejt shtëpisë” tregon se si Aleksei Orllov ndihmon ata, të cilët u ndodhën “të hedhur në hendekun e jetës”. Një fituese tjetër e çmimit “Stalker” u bë heroina e filmit të Elena Kuznjecovës “Larisa”. Kjo është piktorja Larisa Hafizova nga qyteti Toljati pranë Vollgës, për të cilën piktura u bë mënyrë komunikimi e saj me botën që e rrethon, mundësi për të përballuar sëmundjen. Dhe, më në fund, edhe një çmim tjetër me formulimin “Për dinjitetin, inteligjencën, për tregimin e mençur, të urtë mbi shekullin e kaluar” iu dha dinastisë kinematografike të Llunginëve. Këtë vendim juria e mori pas shfaqjes së filmit të Oleg Dormanit “Përkthimi fjalë për fjalë”- i cili paraqet në vetvete njëfarëlloj monologu të Liliana Lluginës, bashkëshortes së dramaturgut Semion Lungin dhe mamasë së regjizorëve Eugeni Llungin dhe Pavell Llugin… Çdo ditë të festivalit organizatorët vendosën ta zhvillojnë nën një devizë të caktuar. Kështu, më 11 dhjetor partnerët kanadezë të “Stalkerit” do të paraqesin filmat me temë “Vullnet i mirë dhe volontarizmi: bëje botën më të mirë!” Në datën 12 dhjetor me propozim të Përfaqësisë së OKB në Federatën Ruse do të shfaqen filmat me temë mbi mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Data 13 dhjetor do të zhvillohet nën devizën- “Filmi në mbrojtje të të drejtave të refugjatëve”, temë kjo e cila u propozua nga Drejtoria e Komisarit Suprem të OKB-së në Federatën Ruse. Kurse më 14 dhjetor publiku do të shikojë punët e regjizorëve të rinj mbi të drejtat e njeriut. Në ditën e fundit, më 15 dhjetor, festivali do të nxjerrë përfundimet e veta.