Bobsleistja ruse Irina Skvorcova u operua me sukses në spitalin e qytetit gjerman Traunstein (Traunshtajn). Operacioni i ndërlikuar që i bënë asaj zgjati gati 10 orë. Ruhen shpresat se nuk do të duhet ndonjë i tillë i dytë në të ardhmen. Mbi masën emergjente - amputimin e këmbës asaj - mjekët u shprehën në prag të operacionit. Ata arsyetuan se kjo është e vetmja mundësi për ti shpëtuar jetën sportistes ruse 21 vjeçare Irina Skvorcova. Por megjithatë ata nuk morën vendim të parakohshëm dhe ia hynë operacionit jashtëzakonisht të vështirë. Kirurgët rusë dhe gjermanë i hapën muskujt e kofshës Irina Skvorcovas me qëllim që të shikonin se në ç’masë ishin dëmtuar enët e gjakut dhe në se ka ndonjë shans për të rivendosur funksionimin e tyre apo jo. Gjatë kohës së operacionit mjekët morën vendimin për të vazhduar kurimin me qëllim që ti shpëtonin këmbën sportistes, njoftoi koordinatorja e skuadrës përfaqësuese të bobsleit të Rusisë Nina Grefenshtejn: “Operacioni, sipas vlerësimit të mjekëve, kaloi shumë mirë. Këmbën tani për tani nuk ja amputuan. Kirurgët arritën në konkluzionin, se mund të luftojnë megjithatë edhe për njëfarë kohe, disa ditë, për t’ia ruajtur gjymtyrën sportistes. Gjendja e përgjithshme e saj është mjaft e rëndë. Ajo ndërlikohet akoma dhe më shumë nga operacionet e njëpasnjëshme që i bëhen asaj. Por tani mund të thuhet se gjendja e Irinës është stabile”, tha Nina Grefenshtejn. Irina Skvorcova është vënë sërish në gjendje kome artificiale. Sepse në një gjendje të tillë organizmi i përballon më lehtë operacionet e shumta. Bobsleistja do të qendrojë në klinikën e qytetit bavarez Traunstein (Traunshtajn) si minimum edhe një javë. Në spital pranë saj ndodhen vazhdimisht 2 specialistë rusë, të cilët së bashku me kolegët e tyre gjermanë do të vazhdojnë kurimin e saj të mëtejshëm. Se sa operacione do të duhet ti bëhen ende asaj nuk e di askush. Kjo do të varet jo vetëm nga përpjekjet e mjekëve, por edhe nga vullneti, dëshira për të jetuar e vetë sportistes së re. Duam t’ju kujtojmë, se Irina Skvorcova përsoi një aksident të rëndë më 23 nëntor në qytetin gjerman Königsee (Kënigze) gjatë kohës së zhvillimit të stërvitjes zyrtare përpara startit të etapës së Kupës së Europës në disiplinën sportive të bobsleit. Gjatë kohës së zbritjes në bolid me Skvorcovën dhe piloten ortake të saj u përplas me gjithë forcën dyshja ruse e meshkujve. Sportistët u nisën për të përshkuar distancën pothuajse njëkohësisht, por nga pika të ndryshme starti. Si rezultat i përplasjes së rëndë të katër sportistët bobsleistë përfunduan në spital. Irina Skvorcova, së cilës i ra për pjesë goditja më e fortë, mori trauma të shumta të kyçit të kockës së legenit dhe shtyllës vertebrale. Në këtë tragjedi çoi, sipas të dhënave paraprake të hetimit, gabimi i gjyqtarit të Federatës Ndërkombëtare të Bobsleit dhe Skeletonit, i cili lejoi startin e ekuipazhit të femrave, pavarësisht nga sinjali i kuq i semaforit. Fajtorët e vërtetë të incidentit do të duhet të përcaktohen ende nga policia gjermane. Hetimi po vazhdon. Pala ruse ngul këmbë në dënimin e fajtorëve dhe tashmë deklaroi, se formulimi “aksident” nuk e kënaq aspak atë.