Vjaçesllav Tihonov Foto RIA LajmetRusia i dha sot lamtumirën e fundit aktorit legjendar Vjaçesllav Tihonov. Të martën, më 8 dhjetor, ai u varros në varrezën Novodeviçe të Moskës. Kjo varrezë është vendi më i prestigjshëm e më i nderuar ku prehjen përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë ruse. Artisti i madh u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare. Kohët e fundit, në fakt po ashtu si dhe në kulmin e popullaritetit të vet, ai i shmangej shoqërisë zhurmëmadhe mondane. Bënte pothuajse një jetë të vetmuar prej eremiti në shtëpinë e vet në periferitë e Moskës. Nuk merrte pjesë në mënyrë principiale në filmat komercialë dhe serialet televizive, duke deklaruar se “në filmat rinj ka shumë dhunë e tmerr. Unë nuk dua të fyej, të përdhos kujtimin e njerëzve të edukuar me filmat e viteve të shkuara dhe të shpërfytyroj përshtypjet e tyre për mua si aktor”. Vjaçesllav Tihonov, bukuroshi i parë i kinematografisë së kohërave sovjetike, mbeti me gjithë mend në kujtesën e të gjithëve si kalorës fisnik-në ekran dhe në jetë, si etalon i dinjitetit njerëzor, si njeri me talent të madh të dhuruar me shumë bujari nga Perëndia dhe njëkohësisht si profesionist me mjeshtëri të latuar në mënyrë splendente, të përkryer. Si njeri me jetë personale aspak të lehtë, në të cilën patën vend edhe dashuria e madhe, edhe humbjet e rënda, të parikuperueshme, edhe dyshimet shpirtmunduese. Në gati 50 filmat e luajtur nga Vjaçesllav Tihonov, ai nuk ka patur asnjë rol “kalimtar”. Por sot, duke u ndarë përgjithmonë me aktorin, qytetarët rusë përmendin më shpesh dy punët e tij më gjeniale: rolin e knjaz Andrej Bollkonskit në ekranizimin e romanit të njohur mbarëbotërisht të klasikut rus Lev Tolstoi “Lufta dhe paqja”- film ky që në vitin 1968 meritoi çmimin e prestigjshëm të akademisë kinematografike amerikane “Oscar”. Dhe rolin e zbuluesit sovjetik Isajev-Shtirlic, i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të njerëzve të Hitlerit në vitet e Luftës së Dytë Botërore,-në serialin “Shtatëmbëdhjetë momentet e pranverës”. Këta ishin personifikim, shembuj të patriotizmit të vërtetë, të intelektualëve dhe inteligjentëve, njerëzve me burrëri të paepur dhe shpirt të hollë. Jo më kot pikërisht këto role, gjatë dhënies së lamtumirës së fundit aktorit të madh, kujton regjizori i njohur kinematografik rus, Kryetari i Lidhjes së Kinematografistëve të Federatës Ruse Nikita Mihallkov: “Ai mund të shfrytëzonte gjatë gjithë jetës së vet atë që bëri në rolet e Shtirlicit apo Bollkonskit. Do të ishin plotësisht të mjaftueshme për këtë qëllim ato role, - mendon regjizori, - por ai ishte artist i vërtetë rus. Ai ndodhej gjithmonë në kërkim të realizimit të vetëvetes, luante vazhdimisht role të reja”. Një nga rolet e tij të fundit ai e luajti pikërisht në filmin e Nikita Mihallkovit “Të topiturit nga dielli”- hero i tij është kryetari i një familjeje të madhe, profesor i kohërave të carit i cili përpiqet të azhornohet me moralin dhe ligjet e epokës sovjetike në fillim e sipër, por që ndjen megjithatë se nga jeta e re u zhduk “aroma e jetës së vërtetë”. Meqë ra fjala, ky film gjithashtu u nderua me çmimin “Oscar”, kështu që Vjaçesllav Tihonov u bë i vetmi aktor rus 2 herë fitues i “Oscar”-it. Ndërsa punën e fundit të tij, në vazhdimin e filmit “Të topiturit nga dielli”, shikuesit nuk e kanë parë ende. “Gaboheni, në qoftë se mendoni, se unë desha të bëhem artist vetëm e vetëm për të dalë e për tu kapardisur përpara publikut, - shkruante për veten Vjaçesllav Tihonov. - Thjesht, në atë kohë nuk kishte as televizion, as Internet. Vetëm filma mund të shihje. Ja dhe unë u apasionova pas kinematografisë, u dhashë me mish e me shpirt pas saj… Me thënë të drejtën, bile as në pasqyrë nuk kisha kurrë qejf të shihesha - mendoja gjithmonë, se duhet të shohësh brenda vetes, në thellësi, të përpiqesh të kuptosh se si pasqyrohen në shpirtin tënd ato që ndodhin përreth teje”… Njerëz të tillë, ç’është për të ardhur keq, po mbeten gjithnjë e më pak. Po largohen nga jeta ata, të cilët mund të shërbenin si shembull, si orientim për brezin e ri, vë në dukje me trishtim, pikëllim të thellë shkrimtari Mihaill Veler: "Ai ishte model, shembull i tillë, siç do të dëshironin të ishin gjithë djemtë e rinj me qëllim që ata ti donin e ti respektonin, - thotë shkrimtari. - Fisnik, me bukuri të vërtetë mashkullore, guximtar, kalorës sypatrembur e i pacen, ironik në rrethanat më të rënda”, thotë Mihaill Veler. I tillë do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e miliona rusëve i madhi Vjaçesllav Tihonov!