Vëllezërit BerezuckieFutbollistët e klubit ЦСКА (CSKA) dhe skuadrës përfaqësuese të Rusisë Vasili dhe Aleksandër Berezuckie kanë ndërmend të hedhin në gjyq programin e Kanalit të Parë televiziv “Njeriu dhe ligji”. Siç shkruan botimi “Novie izvestia”, vëllezërit Berezuckie vendosën ti japin kundërpërgjigje ligjore valës së akuzave që u derdhën mbi kokat e futbollistëve të skuadrës përfaqësuese të futbollit të Rusisë pas disfatës që pësuan në Sllovaki në raundin kualifikues të Kampionatit Botëror. Programi televiziv, i cili specializohet në tematikë kriminale, tregoi një subjekt skandaloz që kishte të bënte me “përgatitjen” e futbollistëve rusë për zhvillimin e ndeshjeve të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror Afrikë e Jugut. Në të tingëlluan edhe disa mbiemra, ndër të cilët edhe ai i vëllezërve Berezuckie, që njëri nga bashkëpunëtorët e personelit të hotelit i karakterizoi si, duke u shprehur në mënyrë të figurshme këtu, qeflinj të seksit femër. Vëllezërit Berezuckie e kualifikuan subjektin e programit në fjalë si “gënjeshtër, shpifje të ulët e të pavërtetuar” dhe, në fakt, dolën jo vetëm në mbrojtje të nderit e dinjitetit të vet, por dhe të lojtarëve të tjerë të skuadrës përfaqësuese. Meqë ra fjala, vëllezërit Berezuckie shprehën habi të madhe në lidhje me faktin, se përse nderin e skuadrës nuk e mbron Lidhja e Futbollit e Rusisë, sepse gazetarët e Kanalit të Parë “hodhën baltë mbi gjithë futbollin rus”. Pak më vonë udhëheqja e Lidhjes së Futbollit të Rusisë reagoi megjithatë ndaj skandalit në fjalë dhe u dërgoi letra zyrtare Kanalit të Parë televiziv dhe menazhmentit të hotelit me lutjen për të dhënë sqarime në lidhje me vërtetësinë e informacionit të bërë publik.


Komentimi i artikullit të ditës

Eksperti i kanalit televiziv “Sport” Aleksandër Bubnov vlerëson tani përpara mikrofonit të “Zërit të Rusisë” perspektivat e procesit gjyqësor midis futbollistëve dhe Kanalit të Parë televiziv: “Kanali i Parë televiziv nuk është ndofarë kanali komercial. Ai është një organizatë mjaft serioze. Mos vallë ju mendoni se në Kanalin e Parë Aleksei Pimanov (drejtuesi i programit në fjalë) mori dhe doli me këtë program, thjesht, ashtu me iniciativën e vet? Jo krejt rastësisht ai thotë tani, se përveç gjithë të tjerash, ka në duar edhe informacion suplementar në lidhje me çështjen në fjalë. Kanali kryesor federal ka juristë shumë të mirë. Ndër të tjera, mbi ta qendrojnë njerëz me pozita mjaft të larta zyrtare, deri tek administrata e Presidentit. Dhe për këtë arsye përjashtohet plotësisht mundësia e asaj, se kjo është një aventurë”, konkludon eksperti Aleksandër Bubnov.