Vladimir Putin Foto  RIA LajmetKryetari i qeverisë së Rusisë Vladimir Putin zhvilloi mbledhjen me autoritetet e qytetit Perm në lidhje me dhënien e ndihmës të dëmtuarëve gjatë zjarrit që ra në klubin e natës, në të cilën bëri një sërë deklaratash. Fajtorë kryesorë të tragjedisë mund të quhen si përfaqësuesit e pushtetit shtetëror dhe lokal, ashtu dhe biznesmenët që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me klubin e natës. Kryeministri kujtoi, se leja për shfrytëzimin e lokalit u dha si nga inspektori i shërbimit shtetëror të zjarrfikësve, ashtu dhe nga bashkia me shkelje të shumta evidente në sferën e sigurisë nga zjarri. Gjatë kësaj pothuajse në një periudhë kohore prej një viti askush nga autoritetet nuk mori mundimin të vinte me kontroll në objektin n; fjalë, megjithëse prokuroria me kërkesën përkatëse mund të jepte leje për të zhvilluar edhe një kontroll suplementar, jashtë planit. Sipas vlerësimit të Vladimir Putinit, biznesmenët e lidhur me aktivitet pune me këtë klub konkret nate “Хромая лошадь” (“Kali i çalë”) në qytetin Perm “shkelën të gjitha rregullat e mundshme që mund të shkelen”, duke përdorur brenda lokalit të mbyllur mjete piroteknike, në kutitë e të cilave ishte shkruar “jo në gjuhë tjetër, po në rusisht: Ndalohet përdorimi i tyre të ambjente të mbyllura!”. Putini shprehu shpresën, se “hetimi do të jetë i hollësishëm, i detajuar dhe se do tu japë një vlerësim objektiv veprimeve të çdonjërit prej figurantëve në veçanti”. Kurse “konkluzionet e nevojshme do të bëhen në nivel dikasterial në një kohë sa më të afërt”. Në mbledhjen në fjalë Kryeministri njoftoi gjithashtu, se familjet e viktimave të tragjedisë do të marrin nga 500 mijë rubla, kurse të dëmtuarit nga 400 mijë rubla. Si rezultat i zjarrit që ra në klubin e natës “Хромая лошадь” (“Kali i çalë”) natën në të gdhirë të datës 5 dhjetor, gjetën vdekjen 113 veta, ndërsa u dëmtuan me trauma dhe djegie të shkallëve të ndryshme 120 të tjerë. Në spitalet e Permit po kurohen 19 të dëmtuar. Me aeroplanë u evakuuan në spitalet e qyteteve të tjera 100 persona, prej të cilëve 65 në spitalet e Moskës, 28 në klinikat e Shën Peterburgut, 7 në ato të Çeljabinskut. Gjendja e gjithë të shtruarëve në spitale vlerësohet si e rëndë dhe shumë e rëndë. Ata kanë marrë djegie jashtëzakonisht të rënda në sipërfaqe të trupit, djegie të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes si dhe trauma të ndryshme.