Rusia dhe SHBA teorikisht mund ta nënshkruajnë Traktatin e ri për reduktimin dhe kufizimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO) aty nga data 10 dhjetor. Siç njofton botimi “Rossijskaja gazeta”, palët arritën të binin dakort përsa i përket çështjeve principale dhe tani atyre i duhet vetëm pak kohë për të shkruar fizikisht tekstin e Traktatit, në të cilin është e rëndësishme bile dhe çdo presje. Dimitri Medvediev dhe Barak Obama, në emër të shteteve të tyre konfirmuan garancinë e sigurisë për Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Ukrainën, si vende të cilat nuk zotërojnë armë bërthamore, në lidhje me përfundimin e afatit të veprimit të Traktatit aktual №1 mbi ASO. Ndihmësi i Obamës për çështjet e sigurisë kombëtare mendon, se teksti i Traktatit mund të bashkërenditet nga të dy presidentët në Kopenhagen, ku do të mbahet samiti i OKB-së për diskutimin e problemeve të ndryshimit të klimës. Presidenti amerikan do të shkojë në Kopenhagen ose këtë javë ose javën tjetër. Medvedievi dhe Obama që në samitin, i cili u zhvillua në Moskë, në korrik të këtij viti, premtuan të bënin të pamundurën për nënshkrimin e Traktatit të ri. Por gjatë përgatitjes së dokumentit u evidentuan mosmarrëveshje në lidhje me masat e besimit dhe kontrollit mbi arsenalet e armatimeve bërthamore, kujton botimi “Rossijskaja Gazeta”.


***


Gazeta “Vremia novostiej” shkruan në lidhje me konferencën e radhës në shkallë ministrash të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Në të u arrit marrëveshja që në janar Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani të paraqesin në OBT memorandumin për Bashkimin Doganor. Pritet që vendimi për rifillimin e negociatave, ku do të diskutohet bashkimi i Rusisë me Organizatën, të miratohet pasi të prezantohet dokumenti. Qëllimi i raundit aktual të negociatave ishte liberalizimi i mëtejshëm i tregtisë botërore nëpërmjet uljes së tarifave në sferën e bujqësisë, të mallrave industriale, reduktimit të subvencioneve për fermerët si dhe të tjera si këto. Megjithëse arritja në marrëveshje në lidhje me parametrat konkretë të liberalizimit të mëtejshëm doli shumë e vështirë. Pengesë kryesore për këtë u bënë kushtet e tregtimit të produkteve bujqësore, megjithëse pjesa e sektorit agrar të GDP-së i bie të jetë jo më shumë se 8%. Por, pikërisht bujqësia është ajo që luan rolin më të rëndësishëm në ekonominë e shumë vendeve në zhvillim e sipër. BE dhe SHBA përdorin gjerësisht subvencionet për fermerët, dhe si pasojë prodhuesit e vendeve të varfra rezultojnë në kushte jo të barabarta me kolegët e tyre nga shtetet e pasura. Ata, thjesht, nuk mund të dalin dot me prodhimet e tyre në tregjet botërore, vë në dukje botimi “Vremia nosvotiej”.

 

***


Botimi “Nezavisimaja gazeta”, duke analizuar telekomunikimin prej 4 orësh të Kryeministrit Vladimir Putin me qytetarët e vendit të enjten e kaluar, vë në dukje se duke dëgjuar Shefin e kabinetit të ministrave ishte tepër e vështirë të gjeje lidhjen me thirrjet për modernizim të bëra nga Kryetari i shtetit Dimitri Medvediev. Asnjë tezë e Kryeministrit nuk u kujtoi shikuesve asgjë për ndryshimet radikale, mbi dosmosdoshmërinë e të cilave Presidenti rus u shpreh në mesazhin e vet drejtuar Asamblesë Federale. Bile më tepër se kaq, Kryeministri nuk lejoi asnjë mundësi ndryshimi bile edhe në çështjet që shkaktojnë pakënaqësi aktive tek qytetarët e vendit. Gjatë kësaj, shikuesve nuk u mbetën kurrëfarë dyshimesh në lidhje me faktin, se ndryshime në vend, përveç atyre të planifikuara nga qeveria, nuk mund të priten. Ndërsa përshtypja kryesore nga dialogu qëndron në faktin se Putini duke zotëruar jo keq informacionin mbi gjendjen aktuale në vend, nuk ka kurrëfarë vizioni real si të shkaqeve të problemeve që lindën, ashtu dhe të perspektivave të çrrënjosjes së tyre në të ardhmen. Se sido qoftë, pa shfrytëzimin e qendrimeve bashkëkohore vendi ynë nuk ka asnjë shans për çrrënjosjen e shkaqeve të lindjes së problemeve aktuale. Sepse shkaqet i kanë rrënjët e tyre në institutet- institutet e konkurrencës, të  lirisë politike dhe ekonomike, të kontrollit të pavarur shoqëror mbi pushtetin. Por në lidhje me këtë nuk u tha asnjë fjalë nga Kryeministri, përfundon komentimin e vet botimi “Nezavisimaja gazeta”.