7 dhjetori për thesarin më të madh artistik të Rusisë-Muzeun Ermitazh të Shën Peterburgut-është ditë e shënuar. Sipas kalendarit kishtar kjo është Dita e Shën Ekaterinës. Ndërsa përkrahëse, mbrojtëse dhe themeluese e vetë Muzeut ishte Ekaterina-Perandoresha ruse Ekaterina e II-të. Plot 245 vjet më parë ajo krijoi Muzeun “Ermitazh”. E gjithë historia e krijimit të Muzeut filloi nga ajo ngjarje, kur në vitin 1764 në Shën Peterburg u sollën 225 tabllo të mjeshtrave holladezë dhe italianë të penelit të shekullit të XVII-të. Ky ishte koleksioni i mbledhur nga mbeti i Prusisë Friedrich i II-të, të cilin Ekaterina e Madhe e bleu në Berlin. Ky veprim i Perandoreshës ruse pati ngjyrim jo vetëm kulturor, por edhe politik. Ekaterina e II-të shfrytëzoi, në këtë rast, mundësinë për të dhënë një goditje të fuqishme mbi sedrën e sëmurë të mbretit prusian Friedrich-ut të II-të, i cili si rezultat i disfatës së Prusisë në luftën 7 vjeçare, mbeti pa mjete financiare për shpërblesë që ti rikthente vetes koleksioin e lënë peng. Kurse Rusia, e cila doli triumfatore në këtë luftë, mundi të eksprozojë njëherazi me këtë rast edhe gjendjen e mirë të arkës së vet. Dhe po atëhere Perandoresha ideoi ndërtimin e një godine dykatëshe për vendosjen e këtij koleksioni, që dhe hodhi themelet e të ashtuquajturit “Ermitazh i vogël”. Godina mjaft elegante, e projektuar nga arkitekti gjerman Georg Friedrich Veldten, me kalimin e disa viteve u bë me “fqinje”: edhe një pavijon tjetër klasik u që u projektua nga arkitekti Jean-Baptiste Vallin de la Mothe. Të dyja këto godina i bashkuan me një kopësht të varur (hanging garden) dhe organizuan galerinë. Kurse numri i tabllove vinte duke u rritur. Në verë të vitit 1769 në Shën Peterburg nga Saksonia sollën koleksionin e Kontit von Bruehl, i cili përbëhej nga shumë gravura dhe vizatime si dhe më tepër se 600 piktura të shkollave holandeze, flamande, franceze, italiane dhe gjermane të pikturës. Në “Ermitazh” u dukën punë të Harmens van Rain Rembrandt-it, Pieter Paul Rubens-it, Niccolas Poussin-it, Jean Antoine Watteau. Por Ekaterina nuk kishte ndërmend ta ndalte vrullin e vet: as në koleksionimin e veprave të artit, as në ndërtimin e galerisë për to. Në vitin 1772 Perandoresha blen në Paris galerinë e famshme të familjes Croze, në të cilën përfshiheshin tabllotë e Santi Raffaello-s, Giorgio Barbarelli da Castelfranco, Giorgione, Paolo Veronese, Sir Anthony van Dyck, Vicellio Tiziano dhe shumë piktorëve të tjerë europianë. Dhe arkitekti George Friedrich Veldten fillon ngritjen e Ermitazhit të Madh për vendosjen e pikturave të paçmuara. Stili i rreptë dhe serioz i këtij ndërtimi klasik i lejuan Ermitazhit të Madh të kombinohej për mrekulli me kompleksin e pallatit mbretëror në brigjet e lumit Neva. Në vitin 1792 arkitekti Giacomo Antonio Domenico Quarenghi ndërtoi pranë Ermitazhit të Madh edhe një godinë tjetër, e cila ngjasonte shumë me galerinë e Pallatit të Papës në Vatikan. Të tillë ishin hapat e parë për ndërtimin e Ermitazhit-aktualisht njërit prej muzeve më të pasur të botës-ku janë ekspozuar sende e punë të rralla duke filluar që nga koleksioni i artit të lashtë egjiptian e deri tek kryeveprat e klasikës europiane. Pikërisht këtë përfshirje e larmishmëri të madhe vlerëson më tepër se gjithçka Drejtori i këtij Muzeu Mihaill Piotrovskij: “Ermitazhi është i veçantë, - thotë Piotrovskij. - Ne jemi njerëz me fat që vendi ynë ka një perlë të tillë absolute. Ne jemi një muze universal, të tillë nuk krijohen më gjëkundi në botë. Ai është ndërtuar mbi bazë të dialogut të kulturave, kur kulturat flasin, komunikojnë me njëra tjetrën. Ne përpiqemi ti bëjmë njerëzit më të kulturuar, më të predispozuar për perceptimin e kulturave të tjera, me qëllim që ata ti pranojnë për veten kulturat si shumëllojshëri të vetëkuptueshme që zbukuron jetën”, thotë Mihaill Piotrovskij.