Në lidhje me mbledhjen e parë, pas një pauze të gjatë, të Këshillit Rusi-NATO në nivel ministrash të punëve të jashtme, e cila u zhvillua në fund të javës së kaluar në Bruksel, në leksikologjinë e gazetarëve dhe ekspertëve ndër fjalët më me popullaritet u bënë: “riformatimi”, “shkrirja”, “riorganizimi”,“rindërtimi”. Por, me çfarëdolloj termash që të përcaktohet gjendja aktuale e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Aleancës VeriAtlantike, ato, duke gjykuar nga përfundimet e takimit, po fillojnë të marrin në fakt një karakter bashkëpunimi me përmasa të plota. “Marrëdhëniet Rusi-NATO janë të pazëvendësueshme për garantimin e sigurimit në Europë”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen gjatë hapjes së mbledhjes së Këshillit. Dhe kësaj here, me sa duket nga të gjitha, kjo nuk ishte ndofarë “nomatisje”, “formulë magjike” rituale. Siç deklaroi në konferencën e mbajtur për shtyp Kreu i MPJ të Rusisë Sergei Lavrov, mbledhja kaloi në mënyrë “konstruktive” dhe për herë të parë përfundoi me “rezultate konkrete dhe shumë të rëndësishme”. Gjatë kësaj Sergei Lavrov theksoi në mënyrë të veçantë faktin e këmbimit të mendimeve në lidhje me projektin e Traktatit mbi sigurimin europian, të bërë publik këto ditë nga Moska. Pala ruse e cilësoi temën e sigurimit europian si më të rëndësishmen në veprimtarinë e Këshillit Rusi-NATO. Duke mos u pajtuar me këtë, delegacioni i Kanadasë, po ashtu si dhe delegacionet e Britanisë së Madhe dhe vendeve balltike, u kërcënuan me bllokimin e projekt dokumenteve të planifikuara për nënshkrim. Dhe pikëpyetjet në lidhje me sinqeritetin e deklaratave të udhëheqjes së Aleancës VeriAtlantike në lidhje me gatishmërinë për bashkëpunim mbeten megjithatë. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë NATO-s Dimitri Rogozin ka një mendim krejtësisht të prerë në lidhje me këtë: “Brenda gjirit të NATO-s, - thotë Dimitri Rogozin, — po krijohet në mënyrë të qendrueshme një fraksion, i cili del kundër riformatimit të marrëdhënieve me Rusinë. Fraksioni ky në të cilin deri tani janë akoma fort të gjalla pikëpamjet e “luftës së ftohtë”. Dhe duhet thënë këtu, se bile edhe duke provuar domosdoshmërinë e ndihmës nga ana e Rusisë, ata, megjithatë, refuzojnë të diskutojnë edhe ato probleme që prekin interesat tona kombëtare. Por, nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh fakti, se brenda vetë komunitetit perëndimor ka dhe vende që mendojnë ndryshe”, thotë Dimitri Rogozin. Përsa i përket mosmarrëveshjeve ekzistuese, duhet thënë, se, sipas fjalëve të Sergei Lavrovit, Moskën e shqetësojnë më tepër, para së gjithash, planet e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, si dhe vazhdimi i furnizimit të Gjeorgjisë me armatime nga jashtë.