Foto EPASot në Rusi është shpallur Ditë Zie. Në këtë ditë në Rusi vazhdojnë të vijnë telegrame ngushëllimi nga e gjithë bota në lidhje me viktimat e tragjedisë që ndodhi në klubin e natës së qytetit Perm në Uralin e Veriut, si rezultat i së cilës gjetën vdekjen 112 veta. Ngjarja e jashtëzakonshme ndodhi në klubin e qytetit Perm rreth orës 01:00 të së shtunës, në mbrëmjen e organizuar për nder të 7 vjetorit të klubit. Lokali u bë gati i tëri shkrumb e hi: nga sipërfaqja e përgjithshme e tij prej 500 metrash katrore përhapja e zjarrit përfshiu 400 metra katrore. Hedhja e fishekzjarreve brenda klubit provokoi shpërthimin e menjëhershëm të zjarrit. Siç njofton Ministria e Situatave të Jashtëzakoshme (MSJ) e Rusisë, në vendin e ngjarjes mbërritën disa njësi zjarrfikësesh. Për 15 minuta u organizua evakuimi i njerëzve. E megjithatë, jo më pak se 112 veta gjetën vdekjen, ndërsa u dëmtuan me djegie e traumave të ndryshme gati 140 të tjerë. Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë Kirill u lut për shpirtrat e viktimave të tragjedisë. Kreu i Kishës Orthodhokse Ruse vuri në dukje, “se duhet të mbahen në mendje të gjitha rreziqet e argëtimeve të papërkora, të papërmbajtura, të cilat mund të përfundojnë me hidhërim e fatkeqësi”. Liderët e shteteve të huaja i dërguan telegrame ngushëllimi në lidhje me këtë tragjedi Rusisë. Shërbimi i shtypit i Presidentit të Letonisë njoftoi, se Kryetari i republikës balltike Valdis Zatlers i adresoi një letër udhëheqjes së Rusisë në lidhje me vdekjen masive të njerëzve në klubin e Permit. Presidenti i shprehu ngushëllimet e veta më të sinqerta të afërmve dhe familjarëve të viktimave dhe të dëmtuarëve, si dhe gjithë popullit rus. Presidenti i Estonisë Toomas Hendrik Ilves shprehu shpresën në shërimin sa më të shpejtë të personave të traumatizuar e të djegur. “I shpreh ngushëllimet më të sinqerta gjithë Rusisë në emër të gjithë popullit të Estonisë dhe në emrin tim personal, duke kujtuar viktimat e tragjedisë në Perm. Me dhimbje e hidhërim të thellë mendoj për ata që gjetën vdekjen dhe për të afërmit e tyre dhe shpresoj shumë në shërimin sa më të shpejtë të personave të dëmtuar me trauma e djegie”, - thuhet në letrën e Presidentit Toomas Ilves. Kryeministri i Moldavisë Vladimir Fillat i dërgoi udhëheqjes ruse një mesazh me shprehje ngushëllimesh të sinqerta. Presidenti i Ukrainës Viktor Jushenko e quajti tragjedinë në qytetin Perm humbje të parikuperueshme për gjithë Rusinë. “Kjo është dhimbje e hidhërim i madh, humbje e jashtëzakonisht e madhe jo vetëm për familjarët e të afërmit e viktimave, por dhe për gjithë popullin, gjithë vendin. Në këto momente të rënda, ju lutem ti transmetoni në emër të popullit ukrainas dhe në emrin tim personal fjalët e mbështetjes dhe urimit për shërim sa më të shpejtë të dëmtuarëve”, - thuhet në mesazhin e Kryetarit të shtetit ukrainas. Kryeministrja e Ukrainës Julia Timoshenko i drejtoi gjithashtu një telegram ngushëllimi udhëheqjes së Rusisë. “Më vjen jashtëzakonisht keq, se për shkak të një rastësie tragjike u ndanë nga jeta shumë të njerëz të rinj, plot energji, të cilët e kishin akoma gjithë jetën përpara”, - thuhet në telegramin e saj. Presidenti i Polonisë Lech Kaczynski deklaroi, se “Është jashtëzakonisht i tronditur nga njoftimet mbi vdekjen dhe dëmtimin e një numri kaq të madh të rinjsh”. “Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë bashkatdhetarëve të mi dua t’ju shpreh Juve ngushëllimet më të sinqerta dhe solidarizimin me familjet e viktimave dhe të dëmtuarëve. Në këto momente të vështira bashkohemi me dhimbjen e gjithë popullt rus”, - thuhet në mesazhin e Lech Kaczynskit. Kryetari i bashkisë së qytetit-vëllam gjerman të Permit-Duisburg Adolf Sauerland u propozoi banorëve të Permit ndihmë të gjithanshme në emër të qytetit të vet. “Duisburgu është jashtëzakonisht i trishtuar nga lajmi i hidhur që erdhi nga Permi. Kjo është një fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe. Kryetari i bashkisë Adolf Sauerland u transmeton banorëve të Permit ngushëllimet më të sinqerta. Ju lutemi të na njoftoni se me ç’ndihmë mund t’ju jemi të dobishëm ne. Ne jemi së bashku me ju me mendjet e zemrat tona, jemi me ju në lutjet tuaja.”, - bën publik shërbimi i shtypit i Guvernatorit të qarkut të Permskut përmbajtjen e telegramit nga Duisburgu. Telegram ngushëllimi dërgoi edhe Greqia. Zëvendës ministri i parë i punëve të jashtme të Greqisë Dimitris Droutsas i adresoi të shtunën Kreut të MPJ të Rusisë Segei Lavrov ngushëllimet më të sinqerta në lidhje me katastrofën në klubin e natës të qytetit Perm.