Monumenti Në 4 dhjetor në Moskë do të zhvillohet ceremonia solemne e inagurimit të monumentit që vlerësohet si një nga simbolet më të spikatura të epokës sovjetike. Fjalë bëhet për kryeveprën skulpturore të Vera Muhina-s “Punëtori dhe Kolkoziania”. Dy figura të fuqishme-e femrës dhe e mashkullit-të realizuara plot hov e dinamizëm, përbëjnë kompozimin e habitshëm për nga bukuria dhe plastika që pat zbukuruar në vitin 1937 pavijonin sovjetik në ekspozitën botërore në Paris. Skulptura i mrekulloi atëhere të gjithë dhe së bashku me pavijonin u nderua me çmimin më të lartë. Veprën e spikatur, mbresëlënëse të Vera Muhina-s, të krijuar, me që ra fjala, prej fletësh të petëzuara metalike të prodhuara sipas teknologjive më moderne të asaj kohe, e kanë demontuar dy herë-kur e çuan në Paris dhe kur e kthyen prej andej në atdhe. Në Moskë ajo u vendos në bazamentin e ngritur posaçërisht për të përpara Qendrës mbarëruse të Ekspozitave ku dhe qendroi deri në fillim të shekullit të XXI-të, kur u bë mëse evidente se bile edhe një monument i tillë kaq i fortë, i qendrueshëm ka, si i thonë fjalës, afatin e vet të shfrytëzimit. Dhe se duhet medoemos një restaurim i qenësishëm i tij, përndryshe monumenti mund të shkatërrohej përfundimisht. Plot 6 vjet vazhdoi kjo punë e vështirë, e cila siç mendon Drejtuesi i kolektivit për restaurimin kompleks shkencor të skulpturës “Punëtori dhe Kolkoziania” Vadim Cerkovnikov, përfundoi me sukses: “Monumenti i restauruar do të qendrojë tani edhe rreth 100 vjet, - siguron specialisti. - Cipa e paoksidueshme metalike, me të cilën është veshur monumenti, është mjaft rezistente. Një karkasë mjaft serioze është vendosur brenda vetë figurave, e cila do të mund ti mbajë ato në mënyrë të qendrueshme, të patundur në lartësi të madhe bile dhe gjatë erërave të fuqishme. Ne synuam të ruajmë gjatë punës sonë restauruese maksimumin e fletëve të petëzuara metalike të bëra që në kohën e vetë autores, skulptores Vera Muhina. Për dhënien e jetës së re, të tretë monumetit një kontribut të paçmuar dhanë edhe arkitektët. Ata realizuan në jetë ëndrrën e Vera Muhina-s, e cila e quante bazamentin 11 metërsh, mbi të cilin qe vendosur monumenti në Moskë, si shumë të ulët. Kurse tani arkitekti Andrei Bokov propozoi shfrytëzimin e skicave të ruajtura të pavijonit sovjetik për ndërtimin e një bazamenti-godinë me lartësi 34,5 metra: “Ky bazament do të bëhej po i tillë, siç dhe qe skicuar në kohën e vet nga arkitekti Boris Jofan. Absolutisht të gjitha materialet e garniturës do të përkojnë maksimalisht me origjinalin e konstruktuar në Paris në vitin 1937”, - konfirmon Presidenti i Lidhjes së Arkitektëve të Rusisë Andrei Bokov.