Foto RIA LajmetTema e cila u zgjodh këtë vit prej organizatorëve të Festivalit të famshëm Moskovit të arteve “Mbrëmjet e Dhjetorit” tingëllon në këtë mënyrë: “Fizionomitë e historisë në artin europian të shekullit të XIX-të”. Me këtë temë është e lidhur ekspozita e pikturave dhe një cikël koncertesh që do të fillojnë më 1 dhjetor dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit në Muzeun e Arteve Figurative të Moskës me emër të Pushkinit. 17 muzeume të botës kanë paraqitur tabllotë e veta në ekspozitën “Fizionomitë e historisë”. Historia, vë në dukje Drejtoresha e Muzeut Irina Antonova, është temë mjaft e begatë edhe për muzikën, edhe për pikturën. Kombinimi i këtyre dy lloj arteve tërheq pa masë publikun, meqenëse i jep atij mundësinë për të bërë jo pak paralelizma dhe krahasime mjaft interesante”. Irina Antonova kujton, se ideja për zgjerimin e perceptimit të vizitorëve të muzeut i erdhi ndërmend në kohën e vet pianistit të famshëm Svjatosllav Rihter. Edhe mua, - shton Drejtoresha e muzeut. - Në fakt isha unë ajo që i propozova atij për të zhvilluar Festivalin e parë në vitin 1981, gjë të cilën ne dhe e realizuam në jetë. Shekulli i XIX-të në kulturën e Europës ka qenë një periudhë tejet e tensionuar dhe me temperament. Subjektet, temat antike nuk i kënaqnin më krijuesit dhe heronj të rinj të tyre u bënë njerëzit bashkëkohës, të cilët “hyjnë” në tabllotë e tyre jo vetëm nga pallatet mondane, por edhe nga rrugët, edhe nga sheshet, bile dhe nga teatri i veprimeve ushtarake. Piktori francez Jacques Louis David realizon tabllonë “Vdekja e Maratit”, në kuptimin e plotë të fjalës, nga natyra e gjallë-kopia e vyer e kësaj pikture, që u bë gjatë jetës së Davidit në studion e tij të punës, është paraqitur në ekspozitën e sipërpërmendur të Moskës… Klasiku gjerman Ludwig van Beethoven ua kushton muzikën e vet perandorëve-rivalë: Napoléon Bonapartit francez dhe Aleksandrit të I-rë rus. Dhe kjo vepër e Beethoven-it , natyrisht, është prezente në programin e “Mbrëmjeve të Dhjetorit”… Historia paraqitet nëpërmjet ngjarjeve, dëshmitar okular i të cilave ka qenë vetë piktori”, thotë Irina Antonova: “Shekullin e XIX-të jo rrallëherë e akuzojnë për eklektizëm, - thotë Irina Antonova, - kur merret pak nga të gjitha, kur përvetësohen nga gjithkund idetë dhe mendimet. Ndërsa në të vërtetë kjo ishte dëshirë për të njohur, për të percetuar vetëveten, para së gjithash. Kush jemi ne?.. Pyetje kjo që vazhdon të mbetet mjaft aktuale edhe në shekullin e XXI-të. Autorët bashkëkohorë gjithashtu përpiqen të gjejnë përgjigje ndaj saj dhe shpesh herë përdorin për këtë qëllim përvojën e paraardhësve. Kështu, vizitorët e “Mbrëmjeve të Dhjetorit” do të dëgjojnë veprën e kompozitorit rus Vladimir Tarnopolskij - operan parodi “Le tre Grazie” (“Tre Mirësitë”), libreto e së cilës është shkruar gati 200 vite më parë nga kompozitori i famshëm gjerman Carl Maria von Weber. Kurse udhëheqësi aktual artistik i festivalit Jurij Bashmet vendosi ti zgjerojë akoma dhe më shumë kufijtë e epokave dhe të bashkojë në një program kryeveprat e Schonberg-ut dhe Shnitkes, të shkruara në shekullin e XX-të, por në kombinim me format e vjetra muzikore.