Foto RIA LajmetKomiteti organizativ i Olimpiadës-2014 prezantoi zyrtarisht emblemën e Lojrave Dimërore në Soçi. Logotipi i Lojrave Olimpike të vitit 2014, të cilat do të zhvillohen në qytetin turistik të Detit të Zi-Soçi, të kujton skulpturën e akullt të realizuar me copëza akulli. Nga njëra anë logotipi është mjaft lakonik: mbishkrimi në gjuhën angleze “Sochi.ru”, kurse më poshtë në reflektimin si në pasqyrë-janë stilizuar shifrat 2014 dhe 5 rrathët e famshëm Olimpikë. Emblema, ka dizenjo të theksuar “dixhitale”. Jo më kot Rusia për promovimin e projektit të saj olimpik zgjodhi devizën “Qendrimi inovativ ndaj përgatitjes dhe zhvillimit të Lojrave - garanci e suksesit tonë në vitin 2014”. Në logotipin e Olimpiadës Dimërore në Soçi evidentohen me shumë lehtësi edhe motivet popullore ruse. Zgjidhja koloristike - gama e bardhë dhe e kaltër- na sjell ndërmend pikturën tradicionale ruse të quajtur për nga stili i vet karakteristik “Gzhel”. Reflektimi i emblemës si në pasqyrë thekson mjaft mirë polaritetin klimatik të qytetit turistik, në të cilin majat e maleve të mbuluara me borë pasqyrohen në sipërfaqen ujore të Detit të Zi. “Lojrat do ti demonstrojnë mbarë botës larminë e madhe të kulturës dhe natyrës ruse, do të tregojnë për brezin e ri rus, do ti njohin të gjithë me mikpritjen tradicionale ruse”, u shpreh për “Zërin e Rusisë” Presidenti i Komitetit Organizativ “Soçi 2014” Dimitri Çernishenko: “Që në fillim ne dëshiruam të ndjekim rrugën tonë, u përpoqëm të ishim inovatorë në gjithçka”. Ne u përpoqëm të tregojmë historinë, të cilën do ta dëgjojnë dhe do ta kuptojnë në gjithë botën. Ne dëshiruam të arrijmë atë, që çdo element i emblemës të shërbejë si kod përkatësisht karakterit të vendit tonë, sejcilit prej nesh. Projekti i Soçit është projekti i gjithë vendit dhe jo vetëm i një qyteti”, tha Dimitri Çernishenko. “Ky logotip në shumë gjëra pasqyron Rusinë bashkëkohore”, mendon Kryetari i Komisionit koordinativ të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), i cili ka marrë nën mbikëqyrje përgatitjen për zhvillimin e Lojrave Olimpike Dimërore të vitit 2014 në Soçi, Jean-Claude Killy: “Unë jam i magjepsur, i mrekulluar nga ky vend dhe i impresionuar nga njohuritë dhe vetitë e karakterit të njerëzve që punojnë mbi realizimin e projektit “Soçi”. Mua gjithashtu më gëzon pa masë pjesëmarrja dhe interesimi i politikanëve në realizimin e këtij projekti grandioz. Dhe, me të vërtetë, logotipi i pasqyron të gjitha këto. Ne vërejmë Rusinë bashkohore e cila synon drejt së ardhmes, por në të njëjtën kohë ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me vlerat e veta historike. Në ditët e sotme të gjithë e kuptojnë për mrekulli se projekti rus i Olimpiadës është një nga më të ndërlikuarit, me të cilin iu desh të punonte Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, meqenëse për Lojrat në Soçi është e domosdoshme të ndërtohet 80% e infraktrusturës së nevojshme për zhvillimin e Lojrave. Ne i besojmë Rusisë plotësisht dhe e shohim të ardhmen gjithë optimizëm”, u shpreh Jean-Claude Killy.