Katastrofa e trenit Shtypi tipografik përmend shifra të reja të humbjeve si rezultat i hedhjes në erë të trenit “Nevskij ekspres”, i cili po udhëtonte me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe nga Moska për në Shën Peterburg. 90 persona u gjendën të shtruar në spital, 25 u vranë kurse 6 të tjerë rezultojnë si të humbur pa lënë gjurmë. Botimi “Kommersant” kujton, se nga shpërthimi i fuqishëm poshtë lokomotivës së trenit, në të cilin gjendeshin pothuajse 700 pasagjerë, nga shinat dolën 4 vagonat e fundit. Makinisti i trenit lajmëroi menjëherë dispeçerin për ngjarjen, por ndihma e shpejtë, për shkak se katastrofa ndodhi shumë larg qendrave të banuara, u dha vetëm mbas 1,5-2 orësh. Akti terrorist krijoi një kolaps të vërtetë në sistemin e transportit hekurudhor. Nga shkatërrimi i rrugës hekurudhore u bllokua lëvizja e 60 trenave në të cilët udhëtonin më shumë se 7 mijë pasagjerë. Fakti se katastrofa ndodhi jo për shkak të ndonjë avarie të mundshme teknike, por nga akti terrorist, u bë e ditur pas vëzhgimit të parë të vendngjarjes nga hetuesit dhe ekspertët, shkruan gazeta “Vremia novostej”. Sipas të dhënave zyrtare, shkaku i daljes së trenit nga shinat ishte vendosja nën binarët e rrugës hekurudhore të një mekanizmi shpërthyes të konstruktuar në mënyrë artizanale, fuqia shpërthyese e të cilit llogaritet afërsisht me 7 kilogramë tritoli. Shërbimet speciale akoma nuk njoftojnë se kush mund të qëndrojë pas diversionit, duke u kufizuar me fraza standarte se po verifikohen versione të ndryshme. Por duket në mënyrë mëse evidente, se grupi hetimor mori në shqyrtim, në radhë të parë, mundësinë e ndërlidhurisë së aktit të fundit terrorist me diversionin e njëjtë që ndodhi me trenin “Nevskij ekspres” 2 vite më parë. Sipas të dhënave të organeve të ruajtjes së rendit tashmë është krijuar identikiti i një burri, i cili ka shumë mundësi të ketë gisht në katastrofën në fjalë. Ka edhe disa të dhëna të tjera, se shkatërrimi mund të jetë organizuar nga ish ushtaraku rus Pavell Kosollapov, i cili në kohën kur kryente shërbimin ushtarak në Kaukaz, kaloi në anën e guerrilasve dhe deri tani ndodhet në kërkim nga drejtësia. Mendohet se Kosollapov ka gisht në organizimin e shumë akteve terroriste me venien në përdorim të lëndëve shpërthyese. Botimi “Novie izvestia” shkruan, se disa ekspertë mendojnë që shkaku i katastrofës mund të mos jetë akti terrorist, por ndonjë difekt teknik i trenit ose i vetë rrugës hekurudhore. Për shembull, mund të jetë zbërthyer boshti që lidh midis tyre rrotat e trenit, dhe si rrjedhojë, pasojat, duke marrë parasysh shpejtësinë jashtëzakonisht të madhe të lëvizjes së trenit, mund të jenë katastrofike.