10 ditë para Konferencës Botërore për ngrohjen e klimës, e cila duhet të mbahet në dhjetor në Kopenhagen, komuniteti shkencor u ndesh me një surprizë aspak të këndshme, për të mos e quajtur shokuese. Temën do ta vazhdojë në materiali e vet vëzhguesi i “Zërit të Rusisë” Boris Tumanov. Fjalë bëhet mbi publikimin në Internet të korrespondencës që kanë mbajtur klimatologët britanikë gjatë këtyre 10 viteve të fundit me kolegët e tyre të huaj. Ky publikim shkaktoi efektin e shpërthimit të bombës, pasi nga ai rezulton, se grupi i specialistëve i ka bërë me paramendim interpretim tendencioz studimeve të veta me qëllim të manipulimit të mendimit të opinionit publik, që ta bindë atë mbi domosdoshmërinë urgjente të luftës kundër “efektit të serës”. Ndërkaq, deri më sot ne të gjithë, ose gati të gjithë, ishim mëse të bindur, se lufta kundër ngrohjes së klimës, e cila kërcënohet me katastrofë botërore, mbetet një nga detyrat më të rëndësishme, të dorës së parë të njerëzimit. Ekologët i çirrnin maskën, dënonin shoqërinë konsumatore, industrinë dorëshpuar, shkapërdare në përdorimin e energjisë elektrike, lakminë, pangopshmërinë e prodhuesve dhe tregtarëve, duke ngulur këmbë në domosdoshmërinë me rëndësisë jetike të reduktimit të emetimeve të gazit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Kjo veprimtari u kurorëzua me miratimin e Protokollit të Kiotos, që detyron reduktimin e hedhjeve të këtij gazi në atmosferë, me qëllim që të parandalohen ndryshimet e klimës. Por, në qoftë se do ti besohet publikimit anonim të dokumenteve shkencore, origjinaliteti i të cilave, me që ra fjala, që u konfirmua nga autorët e tij, ne të gjithë u bëmë viktima të një mashtrimi masiv. Në këto rrethana mund të luash nga mendtë e kokës. Pasi pikërisht kjo histori fort e errët bën të lindin dy pyetje, të cilave askush nuk është në gjendje tu japë një përgjigje bindëse. Në qoftë se ngrohja e klimës është thjesht një fenomen ciklik, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me veprimtarinë njerëzore, atëherë kush ishte i interesuar në atë që ti bindë banorët e Tokës të reduktojnë konsumin dhe prodhimin, me qëllim që të minimizohet ndotja e atmosferës? Lobi i fshehtë i prodhuesve të burimeve alternative të energjisë? Agjentët e “botës së tretë”? Marsianët? Por në qoftë se rreziku kërcënues i ndryshimeve të klimës është real, atëherë kush dhe me ç’qëllim mundi të ndërmarrë përpjekje, në fakt, vetëvrasëse, duhet thënë, që të sabotojë luftën kolektive kundër këtij rreziku? Lobi i naftës dhe gazit? “Al-Qaeda”? Apo, ndoshta, po ata marsianë? Unë do të doja të isha pak më serioz në komentimin tim, por me të vërtetë, më besoni, nuk mund ta detyroj dot veten pas asaj kur mësova se raporti i OKB-së, i destinuar për tu diskutuar në samitin e ardhshëm në Kopenhagen, rekomandon mobilizimin e femrave për ushtrimin e ndikimit të drejtpërdrejtë në problemin e ngrohjes së klimës. Duke kontrolluar lindshmërinë në nivel personal, ato, sipas raportit, “do të mund të ngadalësonin rritjen demografike, gjë kjo që mbi bazë të logjikës së gjërave, do të lejonte zbutjen e problemit të pamjaftueshmërisë së ujit, frenimin e zhdukjes së pyjeve, peshkimin e pangopur, grabitqar, erozionin, gërryerjen e tokave bujqësore dhe patjetër reduktimin e derdhjeve të gazeve me “efekt serë” në atmosferë. Ja pra, kështu, zotërinj!” As më shumë, e as më pak! Mendoj, se për të gjithë ne ka ardhur koha të marrim shembull nga Sokrati, i cili thoshte: “Unë e di, që nuk di asgjë”.