Dimitri Medvediev Foto Ria LajmetBiznesit privat në Rusi duhet ti jepet akses në rezultatet e punimeve kërkimoro-shkencore të zhvilluara me porosi të shtetit. Dimitri Medvediev deklaroi për këtë në mbledhjen e Komisionit për modernizimin dhe zhvillimin teknologjik të ekonomisë. Shkencëtarët dhe nëpunësit u mblodhën sot në një nga qendrat më të mëdha shkencore ruse-Universitetin Shtetëror të Moskës. Falë ligjeve të miratuara para pak kohësh në Rusi, institutet e larta dhe qendrat shkencore mund të krijojnë tani ndërmarrje të vogla. Faktikisht, u krijua baza normative e cila u lejon institucioneve të shkencës dhe arsimit të merren me veprimtari komerciale në sferën e teknologjive të larta. Në të njëjtën kohë duhet të stimulohet edhe biznesi i vogël, të investohet më aktivisht në përpunimet kërkimoro-shkencore dhe ato kolauduese-konstruktore, mendon Presidenti. Dimitri Medvediev kërkoi që për punën e vet në fushën e inovacioneve të japin llogari, të raportojnë edhe kompanitë shtetërore. “Vetëm për prioritetet e përcaktuara nga Komisioni pranë Presidentit janë caktuar 620 miliardë rubla (20 miliardë $). Dhe këto, duhet thënë, janë para të mëdha. Duhet të arrihet medoemos pikërisht ai koordinim për të cilin folën kolegët. Ne kemi një sektor shumë të madh shtetëror në vend. Prandaj duhet të ingranohen strukturat shtetërore në këtë punë. Është bërë tashmë propozimi që të vijnë në një nga mbledhjet më të afërta udhëheqjet e të gjitha kompanive më të mëdha shtetërore dhe le të na tregojnë se ç’po bëjnë ato atje me inovacionet”, tha Presidenti rus. Dimitri Medvediev përcaktoi 5 drejtimet e zhvillimit inovativ të ekonomisë ruse. Këto janë: kursimi i energjisë elektrike, teknologjitë bërthamore, teknologjitë kozmike (të lidhura me krijimin e sistemeve telekomunikative), teknologjitë mjekësore dhe programet e software. Ekspertët vënë në dukje, se detyrë urgjente, e dorës së parë është rritja e efektivitetit të shkencës. Kurse në organizimin e skemave të reja të punës do të ishte më mirë të forcohej jo roli i shtetit, por roli i biznesit, i cili është mjaft i interesuar për aplikimin e inovacioneve.