Stacioni Kozmik Ndërkombëtar Foto RIA LajmetNë Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN) ekuipazhi çdo ditë merret me fizkulturë sepse në kushtet e mikrogravitacionit muskujt pothuajse nuk punojnë, kockat bëhen më të brishta dhe fillojnë të humbasin kalciumin, shkruan në blogun e vet orbital inxhinieri i bordit të SKN-së Maksim Surajev. “Ne duhet të jemi në formë të mirë sportive . Në Tokë, bile dhe kur çohesh nga karrigia ushtrohet një farë peshe mbi kockat dhe muskujt. Kurse këtu, u preke pak me gisht, bile me gishtin e vogël, dhe fluturon aty ku duhet. Si maksimum, mund të tendosen fare pak muskujt e të ndenjurave”, konstaton kozmonauti. Sipas fjalëve të tij, në kozmos, pa stërvitje të herëpasherëshme vuajnë veçanërisht muskujt kryesorë të këmbëve, prandaj dhe specialistët e mjekësisë rekomandojnë të sakrifikojnë për këto ushtrime gjimnastikore plot 2 orë rrjesht, plus dhe 30 minuta që duhen pas stërvitjes për procedurat higjienike.


***


Dihet fare mirë se lumturia nuk blihet me para, por çdo ngjarje e gëzueshme apo e hidhur mund të vlerësohet në ekuivalencë valutore, pohon ekonomisti australian. Profesori Paul Fridzherts pasi harxhoi 8 vjet për anketimin e 19 mijë personave arriti në konkluzionin se lumturia është një diçka mjaft e lirë, dhe shpesh herë ajo sjell më pak gëzim, se sa kërkon shpenzime financiare. Në përgjithësi, meshkujt gëzohen dhe hidhërohen nga ndryshimet që u ndodhin në jetë më shumë se femrat. Kështu, për meshkujt martesa është një gëzimi po i tillë sikur të merrte 32 mijë dollarë australianë (afërsisht 30 mijë dollarë amerikanë). Kurse, femrat e vlerësojnë lidhjen martesore 2 here më lirë. E njëjta gjë vihet re në një situatë tjetër, për meshkujt divorci është ekuivalent me shpenzime financiare shumë më të mëdha, shkruan gazeta The Sidney Morning Herald.


***


Shpikjen më të dobishme në historinë e njerëzimit rusët konsiderojnë rrotën. Kështu mendojnë 21% nga 3 mijë qytetarët rusë të anketuar me porosi të botimit “Vedomosti” nga qendra studimore e portalit Superjob.ru, që u zhvillua nga datat 5 deri në 9 nëntor në të gjitha qarqet federale të vendit. Në pesëshen e shpikjeve më të rëndësishme, duke gjykuar nga përgjigjet e respondentëve, u renditën elektriciteti, për të cilin votoi një në çdo 10 veta (10% e rusëve), Interneti (8%), kompjuteri (7%) dhe telefoni (6%). Në numrin e shpikjeve të domosdoshme që nuk arritën të kapnin as shifrën 2% ishin: llampa e zakonshme elektrike, radio, ujësjellësi dhe kanalizimi, tipografia, penicilina, aeroplani, televizioni, automatiku Kallashnikov, baruti, alkooli, motorri, metroja dhe shumë e shumë të tjera.


***


Historia e Moskës është mjaft e pasur me legjenda për banorët e qytetit, të cilët morën nam për natyrën e tyre eksentrike. Kjo gjë u pasqyrua dhe në arkitekturën kryeqytetase. Jo rrallë reshperët-origjinalë i ndërtonin çifligjet e tyre në stilin e kështjellave gotike dhe tempujve (pagodave) kinezë. Një nga ndërtimet më të njohura arkitekturale të këtij lloji është Shtëpia e njohur e Pashkovëve, e cila ndodhet përballë Kremlinit. Tregojnë se arkitektit Bazhenov, që bëri projektin e saj, i pat mbetur hatri me perandoren dhe prandaj në mënyrë demonstrative e ktheu shtëpinë “me kurriz” nga Kremlini, duke e drejtuar fasadën kryesore të saj nga rrugica Starovaganjkovskaja. Dhe ndërtesa të tilla me histori të çuditshme në Moskë ka shumë.