Rusia e konsideron të papranueshëm imponimin nga jashtë të reformës kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë. Për këtë deklaroi Përfaqësuesi i përhershëm i Federatës Ruse (FR) pranë OKB-së Vitali Çurkin, i cili mori fjalën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të kësaj Organizate. Iniciatorë të zhvillimit të reformës kushtetuese në Bosnjë janë SHBA dhe Bashkimi Europian. Ato përpiluan amandamentet e veta në Ligjin kryesor duke e ndërlidhur miratimin e tyre me dhënien Bosnjës e Hercegovinës të statusit të kandidates për anëtarësim në BE. Sipas Marrëveshjes së Dejtonit të nënshkruar në vitin 1995, e cila i dha fund luftës civile pothuajse 4 vjeçare, Bosnjë e Hercegovina gëzojnë statusin e konfederatës. Anëtaret e saj — Federata myslimano-kroate e Bosnjë e Hercegovinës si dhe Republika Srpska-kanë nivel të lartë mëvetësie në politikë, ekonomi si dhe në fusha të tjera. Por kjo situatë nuk i vjen aspak për mide Uashingtonit dhe Brukselit. Ato dalin për centralizimin e pushtetit në Bosnjë e Hercegovinë. Zyrtarisht kjo argumentohet me “mosfunksionimin” e sistemit veprues aktual dhe bazohet në përfaqësimin e tre popujve shtetformues: kroatëve, serbëve dhe myslimanëve boshnjakë. Në të vërtetë po ndiqen qëllime me pikësynim të largët, mendon Elena Guskova, Drejtoresha e Qendrës për studimin e krizës aktuale ballkanike të Institutit të Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë: “Në fakt, fjalë bëhet mbi atë, që të gjitha ndryshimet të drejtohen për centralizimin e Bosnjë e Hercegovinës, për bashkimin e të gjitha pjesëve përbërëse të saj. Bosnjë e Hercegovina postdejtoniane ekziston si shtet, në të cilin ruhen të drejtat etnike të të gjithë popujve që jetojnë në të. Për shembull, Republika Srpska arriti të krijojë një formim shtetëror të fortë, efikas. Në ditët e sotme, popujve që jetojnë në territorin e Bosnjë e Hercegovinës iu parashtrohen për plotësim një sërë kushtesh, në qoftë se ata duan të bëhen anëtarë të BE. Mbi të gjitha, që të krijojnë një shtet në të cilin të mos ketë ndarje në qarqe etnike, të krijojnë një shtetformim të ri ku të mos ketë vend për Republikën Srpska”, konkludon Elena Guskova. Nga çfarëdolloj idesh që të udhëhiqen autorët e reformës kushtetuese, është më se e qartë, se realizimi i saj ka për qëllim vetëm destabilizimin e situatës dhe futjen e rregullimit të problemit boshnjak në qorrsokak. Këtë gjë, me që ra fjala, e kuptojnë për mrekulli edhe politikanët e Bosnjë e Hercegovinës. Liderët e 7 partive boshnjake gjatë diskutimeve, të cilat u zhvilluan në tetor, në bazën ushtarake Butmir të Sarajevës refuzuan propozimet e paraqitura nga pala amerikane dhe ajo europiane. E ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës duhet të përcaktohet vetëm nga qytetarët e saj. Prandaj rishikimi i marrëveshjeve të Dejtonit është i mundur, mendon Vitalij Çurkin, por vetëm e vetëm mbi bazë të konsensusit midis dy pjesëve përbërëse të Bosnjë e Hercegovinës — Republikës Srpska dhe Federatës myslimano-kroate — si dhe midis tre popujve shtetformues. Kësaj që thamë më sipër do ti shtojmë edhe se të gjitha këto mund të arrihen mbi bazë të shfaqjes së vullnetit të lirë, pa përndrydhje duarësh dhe pa imponim skemash të përpunuara jashtë kufijve të Republikës.