Politika e rinisë në Rusi po vjen duke u bërë gjithnjë e më agresive, konstaton botimi “Novie izvestia”. Lëvizjet më tolerante janë tërhequr në hije, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë përfaqësuesit e organizatave të zhurmshme, sherxhie, kryeneçe e grindavece proqeveritare. Njerëzit që tani mendojnë ndryshe nga përfaqësuesit e këtyre grupimeve agresive, duke dalë në rrugë, i nënshtrohen një rreziku të madh, dhe jo rrallëherë vdekjeprurës. Në Rusi ka shpërthyer një luftë e vërtetë midis të rinjve me prirje fashiste dhe antifashiste. Kur në mejdan dalin luftëtarët e flaktë të grupeve politike në anë të kundërta të barrikadave dhe fillojnë të sqarojnë marrëdhëniet me njëri tjetrin, kjo gjë mund të përfundojë me rezultat shumë të keq për vendin, mendojnë ekspertët. Më radikalen dhe më agresiven ndër gjithë organizatat proqeveritare ata quajnë Lëvizjen “Молодая Россия» (“Rusia e Re”). Destinacioni i kësaj strukture është lufta kundër opozitarëve. Sipas disa të dhënave, këto kohët e fundit ajo ka filluar të bashkëveprojë me nacionalistët me qëllim që të hyjë, si i thonë fjalës, në “platformën, fushëveprimin” e këtyre të fundit. Lëvizja tjetër prokremliniane «Наши» (“Tanët”) ka një strukturë më të ndërlikuar ndërtimi dhe një pamje, në dukje, më të respektueshme. Ajo organizon jo vetëm aksione agresive, por dhe aktivitete plotësisht paqësore. P.sh., mbledh ikona dhe libra në ndihmë të Osetisë së Jugut. Por dhe në arsenalin e tyre radikalizëm ka jo pak. Sepse që fillimisht këto lëvizje u krijuan për luftën kundër mbajtësve të ideve të “revolucionit portokalli”. Dhe duhet thënë, se autoritetet pushtetore, në përgjithësi, nuk i nxjerrin pengesa serioze agresivitetit të rinisë. Duke gjykuar nga të gjitha, ky proces rregullohet nga vetë autoritetet pushtetore dhe drejtohet për atë, që, së pari, të gjitha organizatat e rinisë të ndodhen nën kontroll, nën survejim, kurse, së dyti, që të merren vetëm me sqarimin e marrëdhënieve e larjen e hesapeve vetëm midis tyre dhe të mos përzihen në proceset reale politike.


Komentimi i artikullit të ditës


Zëvendësi i Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Teknologjive Politike Aleksei Makarkin mendon, se marrëdhëniet midis organizatave fashiste dhe antifashiste do të vijnë duke u acaruar: “Unë mendoj, se kryesorja është konfrontimi midis organizatave fashiste dhe antifashiste. Ja këtu ashpërsimi, acarimi tashmë ekziston dhe ai, ndoshta, do të vijë duke u rritur. Sepse këtu është shumë i fuqishëm, i madh faktori radikalizëm dhe antagonizëm. Midis fashistëve dhe antifashistëve nuk mund të ketë, në parim, kurrëfarë marrëveshjesh, mirëkuptimi. Prandaj tani evidentohet një seri e tërë vrasjesh të përfaqësuesve të organizatave antifashiste. Tjetër punë është konfrontimi midis organizatave të rinisë, që veprojnë mbi bazë parimesh politike, duke u shprehur në mënyrë të figurshme, sllavofile dhe properëndimore. Polemika midis tyre është gjithmonë më pak e mprehtë”, shprehet Aleksei Makarkin.