Konstantin Feokistov Foto RIA LajmetNë Moskë, në moshën 84 vjeçare u nda nga jeta Kostantin Feoktistov- aviakonstruktori dhe njëri nga kozmonautët e parë sovjetikë. Kolegët atë e quanin “Inxhinier me dhunti të falura nga Zoti”: Feoktistov ishte jo vetëm as i vërtetë në punën e tij, por edhe pjesëmarrësi i parë civil dhe pa anëtarësi partiake në fluturimet kozmike. Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev i shprehu ngushëllimet e veta familjarëve dhe miqve të Feoktistovit. Kolegët e të ndjerit kujtojnë karrierën e tij të suksshme dhe vetitë unikale të karakterit të Feoktistovit. Sipas fjalëve të kozmonautit Georgi Greçko, Konstantin Petroviç ishte projektues profesionist i kualifikimit më të lartë i anijeve kozmike, me një fjalë inxhinier me dhunti të falura me bujari nga vetë Zoti. Rektori i Universitetit Teknik Shtetëror të Moskës që mban emrin e Baumanit-Igor Fjodorov thekson se Feoktistov ishte inxhinieri i parë civil, i cili fluturoi në kozmos. Kjo ngjarje ndodhi pikërisht më 12 tetor të vitit 1964, kur Feoktistov së bashku me Vladimir Komarovin dhe Boris Jegorovin kryen fluturimin me anijen e parë kozmike shumëvendëshe “Vos’hod” (“Lindja”). Është e domosdoshme të theksohet se në konstruktimin e kësaj anijeje Feoktistov mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Konstatin Petroviçit iu desh të bindë kryekonstruktorin e raketave kozmike-Sergei Koroljov që ta lejonte atë të dilte në orbitë, sepse deri në atë kohë inxhinierët akoma nuk kishin fluturuar në kozmos. Ekuipazhi, në stafin e të cilit hynte edhe Feoktistov, për herë të parë fluturoi në kozmos pa skafandra. Gjatë 24 orëve të qëndrimit në kozmos anija përshkoi pothuajse 700 kilometra, që do të thotë t’i biesh 16 herë përreth rruzullit tokësor. Kozmonautët e anijes “Vos’hod” vendosën dy rekorde absolute botërore: arritjen e lartësisë maksimale të fluturimit kozmik (408 kilometra) dhe ngritjen e masës (peshës) maksimale (5.32 mijë kilogramë) në këtë lartësi. Prezenca e Feoktistovit në bordin e anijes lejoi zgjerimin e qenësishëm të programit të eksperimenteve me natyrë astronomike dhe gjeofizike që po kryheshin. Për burrërinë dhe heroizmin e shfaqur gjatë kohës së fluturimit Feoktistovi u nderua me titullin Heroi i Bashkimit Sovjetik. Pas nënshtrimit të kozmosit, Konstantin Petroviç deri në vitin 1990 punoi mbi projektet e konstruktimit të anijeve të reja kozmike. Ai projektoi raketat “Sojuz”, “Sojuz-T”, “Sojuz-TM”, “Progres”, “Progres-M”. Me emrin e tij janë të lidhura projektimet e stacioneve të pilotuara orbitale të përdorimit afatgjatë “Saljut” dhe “Mir”. Kështu që Stacioni Kozmik Ndërkombëtar, i cili funksionon aktualisht, në të vërtetë, mund të quhet krijesa e tij. Pasi përfundoi karrierën e konstruktorit, Feoktistov e realizoi më tej vetveten në veprimtarinë e mësimdhënies. Ai jepte leksione në Universitetin Teknik Shtetëror të Moskës me emër të Bauman-it dhe sipas fjalëve të rektorit, ishte profesor i rreptë dhe mjaft kërkues, por në të njëjtën kohë dhe dashamirës. Kozmonautin e parë civil e konsiderojnë si anëtarin e përhershëm të kolektivit pedagogjik të së ashtuquajturës “Baumanka”, sepse ai ishte jo vetëm një lektor me popullaritet të jashtëzakonshëm midis studentëve, por edhe diplomant i këtij Instituti të lartë arsimor. Feoktistovin me të vërtetë mund ta quash personalitet të shkallës planetare: për nder të tij jo vetëm rruga dhe shkolla mbajnë emrin “Feoktistov” në vendlindjen e konstruktorit- qytetinVoronezh, por edhe krateri që ndodhet në anën e kundërt të Hënës.