Botimi “Nezavisimaja gazeta” shkruan për raundin e ri të negociatave ruso-ukrainase të gazit, i cili u zhvillua në Moskë. Kryeministri Vladimir Putin pranoi të përforcohen shkresërisht minimizimi i vëllimeve të blerjes së lëndës djegëse ruse nga koncerni “Naftogaz Ukraini” për vitin e ardhshëm dhe detyrimi i “Gazprom”-it për të mos vendosur sanksione për shkak të marrjes së pamjaftueshme, jo të plotë të gazit nga ana e këtij të fundit sipas përfundimeve të vitit në vazhdim. Megjithëse kryetarët e qeverive të Rusisë dhe Ukrainës siguruan se nuk ekzistojnë probleme në marrëdhëniet midis dy vendeve në lidhje me këtë çështje, ekspertët e kësaj dege parashikojnë megjithatë lindjen e vështirësive të caktuara gjatë negociatave të pritshme në nivel të kompanive të gazit. Çmimi i gazit nuk është vendosur akoma, ai do të llogaritet sipas formulës europiane mbi bazë të raportit të kostos së lëndëve energjetike që zëvendësojnë gazin. Ekspertët ukrainas vënë në dukje, se cilido qoftë çmimi, ai do të shkaktojë megjithatë kritikë nga ana e oponentëve politikë të Kryeministres Julia Timoshenko. Ndërkaq, do të ishte naivitet të mendohej se Vladimir Putin hoqi dorë plotësisht nga instrumentet e ndikimit mbi fqinjët në sferën e gazit. Në kushtet e shfaqjes së qendrimit të paparashikueshëm politik nga ana e elitës së Kievit dhe përfaqësuesve të veçantë të saj, kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme, vë në dukje botimi “Nezavisimaja gazeta”.


***


Kontrolluesit e transportit publik të Moskës i ndaluan të vendosin e të marrin në dorë gjobën administrative për udhëtimin pa biletë. Gazeta “Vremja novostei” njofton, se që këtej e tutje, gjatë evidentimit në sallonet e autobusit, trolebusit ose të tramvait të ndonjë personi që udhëton pa biletë, kontrolluesi i biletave është i detyruar në mënyrë mjaft taktike ti kërkojë pasagjerit që ai të paguajë për udhëtimin. Kjo gjë mund të bëhet në dy mënyra: ti pritet bileta e pashfrytëzuar pasagjerit, ose në qoftë se ai nuk ka të tillë me vete ta blejë tek shoferi i mjetit të transportit dhe ta presë atë në sytë e kontrollorit. Në rast refuzimi nga ana e pasagjerit për ta përmbushur këtë kërkesë, atij i propozohet të zbresë nga tramvai, autobusi ose trolebusit në stacionin më të afërt. Në situatën, kur pasagjeri refuzon kategorikisht të paguajë për udhëtimin dhe të zbresë nga automjeti, kontrollori nuk mund të përdorë kurrësesi ndaj tij forcën ose metoda të tjera të ndikimit fizik, thekson gazeta “Vremja novostei”.