Miratimi përfundimtar i projektit të ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream”, që u arrit në fillim të muajit nëntor, nuk e siguroi megjithatë këtë projekt nga pretekstet e kleçkat që nxirren nga të pakënaqurit me idenë e realizimit të tij në jetë. Dhe, para së gjithash, nga Polonia, përfaqësuesit e së cilës kërkojnë shtrimin edhe 2 metra më thellë të këtij gazsjellësi në fundin e Detit Balltik. Përndryshe cisternat e mëdha të ngarkuara me gaz të lëngëzuar, të cilin Varshava ka ndërmend ta blejë në Katar, mund të dëmtojnë tubacionin. Ekspertët mendojnë, se pretendime të tilla duken si tepër të dyshimta, megjithëse kanë dhe njëfarë baze racionale nën vete. Ndër të tjera, siç shkruan botimi “Njezavisimaja gazeta”, në qytetin Świnoujšcie ndodhet baza ushtarako-detare e NATO-s dhe gazsjellësi mund të kufizojë hyrjen e anijeve ushtarake në skelat e kësaj baze. Në këtë mënyrë, paralajmërimet e Varshavës zyrtare mbi atë se ajo nuk do të pajtohet me shtrimin e gazsjellësit nëpërmjet të cilit lënda djegëse ruse do të shkojë në Europë me anashkalim të territorit të Ukrainës dhe Bjellorusisë, po vijnë duke u mishëruar pak nga pak në jetë. Ekspertët rusë mendojnë, se tubacioni do të shtrohet nën fundin e detit vetëm në sektorin e daljes së tij në breg si dhe, ndoshta, në ato vende ku vërehet një reliev i thyer i fundit të detit. Ndërsa, në tërësi, duhet thënë se rruga nënujore e shtrimit të gazsjellësit “Nord Stream” i shmanget askeve të lundrimeve ndërkombëtare.


Komentimi i artikullit të ditës


Parametrat teknikë të gazsjellësit “Nord Stream” (“Rryma Veriore”) i vlerëson tani përpara mikrofonit tonë Shefi i Drejtorisë Analitike të Kompanisë “Aton” Vjaçesllav Bunjkov: “Sipas mendimit tim, ky është një nga projektet më të përsosur bile dhe në mbarë botën. Gjatë ndërtimit të tij po aplikohen shumë teknologji inovative. Prandaj nuk mund të thuhet kurrësesi se ka ndofarë të metash serioze në këtë projekt. Ndërsa përsa i përket pretendimeve të veçanta që shfaqen ndaj tij nga ana e vendeve të ndryshme, nuk përjashtohet mundësia e asaj, se ato pasqyrojnë jo dhe aq shqetësimin e tyre përkatësisht ekologjisë së Detit Balltik, se sa mbartin në vetvete njëfarëlloj nënteksti të caktuar politik. Në parim, unë nuk jam aspak i bindur, se masa e propozuar nga Polonia për ta shtruar 2 metra më thellë nën fundin e detit tubacionin, është teknologjikisht e justifikuar. Palëve do tu duhet të merren vesh, meqenëse kosto e ndërtimit të gazsjellësit po vjen duke u shtrenjtuar çdo vit e më shumë. Shpenzimet suplementare tani nuk u duhen fare investitorëve, ndërkohë që shtrimi në thellësi më të madhe i gazsjellësit kërkon më shumë mjete financiare”, konkludon Vjaçesllav Bunjkov.