Sipas mendimit të shprehur nga një sërë komentatorësh, BE gjeti, më në fund, përgjigjen në lidhje me pyetjen të cilën, siç thonë, e pat bërë njëherë e një kohë Sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger: “Kujt duhet ti telefonoj në qoftë se do të kem dëshirë të flas me Europën?”. Në samitin e jashtëradhës që u zhvillua në Bruksel u miratuan kandidaturat e Presidentit të BE dhe Ministrit faktik të punëve të jashtme-pavarësisht nga fakti se quhet në mënyrë disi tjetër posti i tij. Dhe kjo u bë e mundur falë ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Zgjedhja historike për “Europën e madhe” e dy figurave të reja që do të drejtojnë në kabinën e kapitenit të anijes së saj u zhvilluan, të paktën aparencialisht, në mënyrë të qetë dhe krejtësisht të zakonshme, rreth tryezës së një darke joformale. Dhe 27 liderëve europianë nuk iu desh, siç prognozonin disa pesimistë, të qendronin në tavolinën e shtruar deri në mëngjas. Pa debate e diskutime të bujshme President i Këshillit të Europës-Organit kryesor drejtues të BE-u zgjodh Kryeministri aktual i Belgjikës Herman Van Rompuy. Dhe këtu, në fakt, duhet thënë, se kandidatura e Rompuy u propozua vetëm pas asaj kur pjesëmarrësit e samitit miratuan kandidaturën e baroneshës britanike Chaterine Ashton në postin e Përfaqësuesit suprem të BE për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë. Dhe kjo nuancë nuk është aspak e rastësishme. Ajo pasqyron përplasjen mjaft të mprehtë të interesave rreth kandidaturave të dy liderëve të rinj të BE. Përplasje kjo e cila lindi jo rreth tryezës së përbashkët të “eurodarkës” së sipërpërmendur, por shumë kohë përpara saj. Figura e Kryeministrit belg, e cila nuk është dalluar me asgjë të veçantë në hapësirën politike europiane, i kënaqte plotësisht Gjermaninë dhe Francën. Siç mendon, në veçanti, Aleksei Kuznjecov, Shefi i degës së BE të Institutit rus të Ekonomisë botërore dhe Marrëdhënieve ndërkombëtare, zor se mund të parashikohen ndofarë ndryshimesh rrënjësore në procesin e integrimit të mëtejshëm europian: “Në parim, Bashkimi Europian është një grupim me integrim mjaft inert. Meqenëse u desh një punë e madhe dhe shumë kohë që të arrihej në dukjen e një figure të përgjithshme, e cila të kryesonte në BE, tani, ndoshta, Bashkimit Europian do ti duhet fillimisht, si i thonë fjalës, “të bluajë” atë që ndodhi. Por sido që të jetë, edhe në qoftë se ky do të kishte qenë ndonjë personalitet i spikatur, mbresëlënës, asnjë ndryshim kardinal nuk do të kishte ndodhur megjithatë. Sepse ekzistojnë prapseprapë votime të llojeve të ndryshme. Zgjedhja e Kryeministrit të një vendi jo të madh pikërisht dhe dëshmon për atë, se kurrëfarë ndryshimesh të shpejtuara apo të ngadalësuara në Europë nuk do të ketë”, shprehet Aleksei Kuznjecov. Por sido që të jetë në të vërtetë, në Moskë, sipas fjalëve të Kreut të MPJ të Federatës Ruse Sergei Lavrov, janë të interesuar që Bashkimi Europian të dalë me një “zë unik” dhe shpresojnë shumë në vazhdimin e partneritetit strategjik me të. Tani fjalën e vet duhet ta thotë udhëheqja e re e Bashkimit Europian.