Përfundimet e samitit të 24 Rusi-Bashkimi Europian do ti shqyrtojë në materialin e vet vëzhguesi i “Zërit të Rusisë” Boris Tumanov. Autori shkruan: Rezultatet e samitit që u zhvillua në Stokholm mund ti duken zhgënjyese atij që priste prej tij ndonjë gjë shumë më të qenësishme në atmosferën e re dhe mjaft të ngrohur aktuale në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit. Optimistët mendonin se ky samit duhej të hidhte themelet e partneritetit të ri strategjik dhe ekonomik midis Moskës dhe Brukselit. Skeptikët supozonin të kundërtën, dhe pikërisht, se marrëdhëniet ruso-europiane janë ende si tepër të mbingarkuara me mosmarrëveshjet e divergjencat në lidhje me luftën në Gjeorgji që të shpresohej për një progres të ndjeshëm në samitin në Stokholm. Në fakt në pritjet e tyre u gënjyen edhe të parët, edhe të dytët. Në realitet samiti ruso-europian ishte, në qoftë se mund të shprehemi kështu, më tepër njëfarëlloj mbledhje pune e destinuar për të rregulluar problemet më emergjente, më të ngutshme, se sa tubim për zgjidhjen e problemeve konceptuale. Dhe me të vërtetë, në qendër të vemendjes së diskutimeve u ndodhën, para së gjithash, problemet energjetike. Europianët i preokupon tej mase siguria e furnizimeve të gazit rus, i cili kalon transit nëpërmjet territorit të Ukrainës, dhe pikërisht që të eliminojnë në të ardhmen trazirat e problemet e reja me furnizimet e gazit Rusia dhe Bashkimi Europian përfunduan marrëveshjen përkatëse në lidhje me rrethanat në fjalë. Në fakt, falë bëhet mbi “mekanizmin e paralajmërimit të hershëm”, i cili parashikon zhvillimin e konsultimeve urgjente midis të dyja palëve në rast të lindjes së ndofarë problemeve teknike apo politike. Sigurisht që gjatë zhvillimit të samitit të Stokholmit u diskutuan edhe problemet e bashkëpunimit ekonomik. Sipas fjalëve të Kryetarit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, BE është i gatshëm të japë kontributin e vet në modernizimin e ekonomisë ruse, domosdoshmërinë jetike të të cilit nuk rresht së theksuari Presidenti Medvediev. Bile më tepër se kaq, zoti Barroso gjithashtu mendon, se një bashkëpunim i tillë do të ushtrojë ndikim pozitiv jo vetëm në ekonominë ruse, por edhe ekonominë europiane. Dhe një arsyetim i tillë është plotësisht i logjikshëm, i drejtë. Por realizimi i këtij bashkëpunimi zor se mund të bëhet vërtet real para se të ndodhë fillimisht bashkëfunksionimi normal i të gjithë mekanizmave të identitetit të ri të BE, të unifikuar tani nga Traktati i Lisbonës. Bile unë jam i prirur të mendoj, se vetëm pas përfundimit të kësaj periudhe, e cila do të marrë, si minimum, disa muaj kohë, Rusia dhe BE do të mund të ndërmarrin, më në fund, përpjekjen për studimin e problemeve të tilla të rëndësishme si redaktimi i ri i Traktatit mbi bashkëpunimin dhe partneritetin ose arkitektura e re e sigurimit europian, që propozohet nga Moska. Dimitri Medvediev nuk e fsheh aspak, se modernizimi i ekonomisë së Rusisë është për të i pandarë nga modernizimi i shoqërisë ruse. Dhe duket në mënyrë më se evidente, se bashkëpunimi i ndërtuar mbi mirëbesim reciprok dhe luajalitetin midis Rusisë dhe Bashkimit Europian mund të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh në çështjen e realizimit në jetë të këtyre dy detyrave për të mirën e gjithë Europës.