Shtetet e Bashkuara i rekomandojnë Bashkimit Europian që të përgatitet të përballohet me një krizë të re gazi: sipas mendimit të ekspertëve amerikanë, gjatë këtij dimri Rusia do ti lerë sërish bosh tubacionet e gazit. Siç shkruan gazeta “Kommersant”, shkaku i problemeve të pritshme konsiston në skemën tejet të ngatërruar të realizimit të furnizimeve të gazit në Europë. Në qoftë se nuk dihet se kush janë në të vërtetë pronarët e gjysmës së kompanive, të cilat merren me tregtimin e gazit në Europë, situata sigurisht që nuk mund të jetë transparente. Siç mendojnë në Kiev, kriza mund të shmanget vetëm me ndihmën e SHBA-s. Ndërsa pala amerikane është vërtet plotësisht e gatshme të marrë mbi vete përkujdesin për europianët. Përfaqësuesi special i SHBA-s për çështjet energjetike në EuroAzi njoftoi, se javën e kaluar në Uashington u krijua komiteti që do të merret me përpunimin e politikës energjetike dhe rregullimin e situatave të mbarsura me krizë midis Bashkimit Europian dhe Rusisë. Dhe po ai do të përcaktojë edhe se cilat ujdi e kontrata të lidhura me Rusinë mund të quhen të ligjshme. Faktikisht fjalë bëhet mbi pjesëmarrjen e plotë të Uashingtonit në procesin e përcaktimit të pozitës së Bashkimit Europian në lidhje me çështjet e dialogut energjetik me Rusinë.

 
Komentimi i artikullit të ditës


Tani përpara mikrofonit tonë i bën vlerësimin e vet iniciativave të SHBA-s Presidenti i Lidhjes së Industrialistëve të naftës dhe gazit të Rusisë Genadi Shmal: “Sipas pikëpamjes sime, drejtimi i timonit të marrëdhënieve reciproke midis Rusisë dhe Bashkimit Europian nga Uashingtoni është një punë jo efektive, mund të them bile krejtësisht pa bereqet. Mendoj se një gjë e tillë mund të fyente Europën, Ukrainën dhe Rusinë. Ne mund ti zgjidhim për mrekulli vetë punët tona, para së gjithash, me Europën. Me që ra fjala, pak kohë më parë u nënshkrua Memorandumi mbi problemet e lidhura me marrëdhëniet tona reciproke. Megjithëse ai nuk përcakton gjithçka dhe mekanizmi i parashtruar në të nuk është fort i qartë, megjithatë vetë fakti se BE shfaqi preokupim në lidhje me atë situatë që pati vend në fillim të vitit në vazhdim, është, pa dyshim, faktor pozitiv. Krijimi i komiteteve në Uashington është e drejta e tyre, por mua më duket se ato nuk do të mund të arrijnë ushtrimin e ndonjë ndikimi pak a shumë serioz.