Në Stokholm sot do të fillojë samiti Rusi-BE. Analistët vendas dhe të huaj janë të prirur ti përmbahen mendimit se Brukseli aktualisht është fort i përqendruar në përgatitjen e reformave të brendshme pas nënshkrimit të shumëpritur të Traktatit të Lisbonës nga Çekia, të fundit prej 27 vendeve-anëtare të BE. Sepse nga Stokholmi bashkëbiseduesit e Presidentit Dimitri Medvediev tashmë që në mbrëmje do të nxitojnë për në Bruksel, ku do të zhvillohen zgjedhjet e Kryetarit të Bashkimit Europian dhe Përfaqësuesit suprem për politikën e jashtme. Në dokumentin e punës, të përgatitur nga Rusia, përmbahet fraza kyç (keyphrase) “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Bashkimi Europian të flasë me Rusinë me një zë unik në vend të asaj që Rusia ti ndërtojë marrëdhëniet e veta me anëtarë të veçantë të Bashkimit mbi bazë dypalëshe”. E megjithatë bashkëveprimin mbi bazë dypalëshe Rusia e vlerëson gjithashtu shumë lart. Në fakt, po ashtu si dhe partnerët e saj. Mbi punën me Rusinë tregon në intervistën e vet ekskluzive dhënë “Zërit të Rusisë”Ambasadori i Suedisë, vendit-kryetar aktual në BE, Tomas Bertelman: “Suedia është shprehur gjithmonë për lidhje sa më të ngushta me Rusinë dhe kjo pozitë përkon plotësisht me synimin e Brukselit për forcimin e “linjës lindore” në veprimtarinë e BE, thotë Tomas Bertelman. Kriza ekonomike, e cila preku në masë të ndryshme shtetet e aleancës, mund të lejojë minimizimin e çfarëdolloj fërkimeve me një fqinje të tillë të fuqishme si Rusia. Sepse bashkëpunimi i Moskës si me vende të veçanta, ashtu dhe me Bashkimin Europian, në tërësi, ka tashmë historikun e vet. Si një shembull i spikatur i kësaj mund të shërbejë bashkëveprimi i frytshëm në kuadrin e projektit “Dimensioni verior”. Ai ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit rrethues, stimulimin e rritjes ekonomike, integrimin rajonal dhe rritjen e aftësisë konkurruese. Po zvarriset, për fat të keq, puna për përgatitjen e Marrëveshjes bazë mbi bashkëpunimin midis Rusisë dhe BE dhe nuk po arrihet dot tani për tani të gjejnë zgjidhje divegjencat ekzistuese në qendrimet në lidhje me një sërë problemesh. Në të njëjtën kohë Suedia, si vend-kryetar aktual në BE, i kupton për mrekulli një sërë preokupimesh të Moskës, meqenëse e vlerëson Rusinë si një partnere mjaft të rëndësishme për mbarë rajonin europian”, konkludon Tomas Bertelman. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë BE Vladimir Çizhov, në kundërshtim me vlerësimet e shumë ekspertëve, deklaroi mbi “ritmet e mira” të avancimit të negociatave në lidhje me Marrëveshjen bazë. “Vërtet, puna nuk ka arritur tani për tani deri tek kapitulli mbi mekanizmat e bashkëpunimit, sepse nuk ekzistojnë akoma për këtë strukturat e reja europiane. Përkatësisht kapitujve të tjerë evidentohet një progres i caktuar”, theksoi diplomati rus.