Romani i fundit dhe i pambaruar i shkrimtarit të shquar ruso-amerikan Vladimir Nabokov më në fund doli në dritë. Romani me titull “Laura e vërtetë”, duke filluar që nga data 17 nëntor mund të blihet në libraritë e Londrës dhe Nju Jorkut. “Laura” nabokoviane ka intriguar botën letrare për më shumë se 30 vjet - që nga momenti i vdekjes së autorit në vitin 1977 në Zvicër. Shkrimtari ia la amanet familjes së vet ta zhduknin librin, i cili jo vetëm që ishte, thjesht, i pambaruar, por dhe përfaqësonte në vetvete një përmbledhje skicash me laps, të hedhura në disa dhjetra karta skedike. I biri jo vetëm që nuk e mbajti amanetin e të atit, por madje dhe u shpreh: “Nuk mund të them se ky është libri më i mirë i tij, por çdo lexues le ta vlerësojë atë sipas botëkuptimit të vet”. Nuk është hera e parë që Dimitri Nabokov nxit interesin e lexuesve me shpjegimet e ideve kryesore të romanit: “Personazhi kryesor i romanit është profesori Filip Wild: një person tejet i shëndoshë dhe aspak i bukur, neurolog i shkëlqyer, i pasur, i martuar me një bukuroshe shtathedhur, e cila e tradhtonte atë me kë ti donte qejfi. Ndoshta për këtë arsye, por ndoshta dhe jo, ai fillon të mendojë për vetëvrasjen. Por ai dëshiron jo vdekjen e vërtetë, por iniciimin e lojës me të. Me që ra fjala, titulli i dytë, alternativ, i librit ishte “Të vdesesh në mënyrë zbavitëse”. Dhe ka shume mundësi që titulli të ketë lidhje me atë mënyrë “vetëvrasjeje”, që zgjodhi si përfundim Filip Wild. Profesori ka ndërmend që gjatë procesit të meditimit ta fshijë pjesë-pjesë veten e vet duke filluar nga gishtat e këmbëve. “Laura e vërtetë” është roman për lexuesin anglishtfolës. Dihet fort mirë, që Vladimir Nabokov shkruante shkëlqyeshëm si në rusisht, ashtu dhe në anglisht, dhe krimtaria e tij ndahet afërsisht në mënyrë të barabartë në pjesën “ruse” dhe atë “angleze”. Lexuesit e parë të “Laurës”, pa filluar akoma shitja e sotme e librit, u evidentuan në SHBA, ku Nabokov, pas emigrimit nga Rusia në vitin 1919, kaloi pjesën më të madhe të jetës së vet. Kështu, në fillim të nëntorit, revista “Plaboy” publikoi një pjesë nga romani duke paguar për një fragment prej 5 mijë fjalësh një shumë rekord për këtë botim. Kurse në Rusi, ata që mund të krenohen me njohjen e tekstit nabokovian, numërohen me gishta. Ndër këta persona, para së gjithash, mund të përmendim përkthyesin e romanit në rusisht Genadi Barabtarlo, i cili po e njeh tashmë auditorin rus me Nabokovin anglishtfolës. Në versionin e tij libri titullohet “Laura dhe origjinali i saj” dhe do të dalë në dritë shumë shpejt nga shtëpia botuese peterburgase “Azbuka”. Sipas vlerësimeve të kritikëve letrarë, “Laura”, zor se mund të shpresojë për të korrur suksesin e veprave më të njohura të Vladimir Nabokovit të tilla si: “Mbrojtja e Luzhenikut”, “Dhurata”, “Ftesë në ekzekutim” dhe “Lolita”. Por për vlerësuesit më besnikë të krijimtarisë origjinale të shkrimtarit, kjo sigurisht që është një dhuratë jashtëzakonisht e madhe. Aq më tepër se romani publikohet në një formë të pazakontë: përmbledhjes vijuese të veprës i bashkangjitet edhe “koleksioni i kartave skedike”, ashtu siç i ka lënë vetë Vladimir Nabokov, dhe çdokush që dëshiron është i lirë ti rradhisë ato në një libër - nga “çdo fillim” deri tek “çdo mbarim”.