Kreu i MPJ i Italisë Franko Fratini është tepër i vendosur në pikësynimin e vet. Në samitin e pritshëm të Bashkimit Europian, që do të mbahet më 19 nëntor, ai ka ndërmend të shtrojë për diskutim çështjen e krijimit të ushtrisë unike europiane. Ideja, vetëkuptohet, është e vjetër si dhe vetë bota. Shtete të ndryshme të Europës përpiqen ta realizojnë atë që prej vitit 1952. Vërtet, në mënyrë mjaft të mefshtë, pasive. Dhe suksese të veçanta në realizimin e kësaj ideje në jetë nuk po vihen re. Në qoftë se nuk do të marrim parasysh vendimin e parlamentit Europian të shkurtit të vitit 2009, i cili miratoi krijimin e forcave të reagimit të shpejtë të BE, atëhere mund të thuhet se projekti i strukturës ushtarake, i pavarur nga NATO, ekziston tani për tani ekskluzivisht vetëm në imagjinatën e politikanëve europianë. Bile edhe njerëzit që janë krejtësisht të distancuar nga politika e kuptojnë fort mirë, se NATO është shndërruar në çiflig të SHBA-s, në të cilin aleatëve të tyre europianë u destinohet puna e “çirakëve”. Ky rol nuk është aspak i prestigjshëm për ta dhe prandaj është plotësisht i kuptueshëm synimi që ndiqet për të avancuar drejt emancipimit. Ideja në fjalë mbështetet zyrtarisht nga të ashtuquajturit “lojtarë të peshës së rëndë” të BE, para së gjithash, Franca dhe Gjermania. Por me njëfarë shpjegimi me rezervë që përsëritet si formulë magjike, nomatisje: sikur kjo gjë nuk do të thotë në kurrëfarë mënyrë shkëputje, ndarje nga SHBA-s. Por në qoftë se ky nuk është izolim nga partneri më i madh me ç’emër mund të përcaktohet tjetër? Për hir të ç’gjëje do të sakrifikohen konsumini i ardhshëm dhe jo i vogël i forcave dhe mjeteve financiare? Për dublimin e strukturës ekzistuese ushtarake atlantike? Qëllimet e tyre të vërteta politikanët europianë zakonisht i kamuflojnë mirë, megjithëse dykuptimshmëria e shprehjeve duket fare sheshit. Kurrëfarë ndarje, shkëputje nga SHBA-s- një kjo. Dhe njëkohësisht përkrahja, mbështetja e idesë së krijimit të forcave vetiake të armatosura për hir të mbrojtjes së interesave të veta. Por vend për Uashingtonin nuk parashikohet në një përpjestim të tillë. Sido që ta quash këtë tendencë nacionalizëm europian apo neogolizëm, vetë thelbi i saj nuk ndryshon kurrësesi megjithatë.